Bundesliga

Hitzfeld mirëpret lajmin: Jupp do të rikthejë suksesin në Mynih

Hitzfeld mirëpret lajmin: Jupp do të rikthejë suksesin në Mynih

Ende nuk është bërë zyrtare, por duket krejt e sigurt se trajneri i ri i Bayern-it do të jetë Jupp Heynckes. Fituesi i tripletës në vitin 2013 do të rikthehet në Mynih për t’i dhënë fund krizës së djemve të tij, pas problemeve që këta të fundit kanë pasur me italianin Carlo Ancelotti, i shkarkuar javën e kaluar pas humbjes 3-0 me PSG-në.

Trajneri në radhë si alternativë për stolin e Bayern-it ishte Ottmar Hitzfeld. Ai gjithashtu ka punuar më parë me bavarezët. “Gjenerali” e ka pritur mirë lajmin për 72-vjeçarin dhe këtë e ka shprehur hapur. “Jupp është një zgjidhje e nivelit të lartë për ta rikthyer skuadrën në rrugën e suksesit. Ai e njeh klubin, mjedisin përreth, skuadrën dhe do të angazhohet për arritur më të mirën”.

Ashtu si Hitzfeld mendon edhe ish-trajneri i njohur, Peter Neururer. “Jupp është një zgjidhje fantastike. Ky është një vendim i zgjuar nga drejtuesit e klubit. Ai ende e njeh një pjesë të skuadrës dhe i ka provuar cilësitë që ka. Përvoja e tij është e paçmueshme. Nuk është çështje moshe. Jupp është i shëndetshëm. Mbase tani ai ka grumbulluar katër vite fuqi, për të cilën me siguri që ka pasur nevojë”.

Nuk mbetet gjë tjetër veçse të urojmë tifozët bavarezë! Pritet vetëm një komunikatë zyrtare dhe… le të fillojë festa! Jupp është sinonimi i besnikërisë, urtësisë dhe… tripletës!

Më shumë nga Bundesliga