Bundesliga

Hoffenheim “gjunjëzon” Bayern me dy gola historikë

Bayern Munich ka pësuar humbjen e parë në kampionat pas dy fitoreve të njëpasnjëshme. Skuadra e Carlo Ancelotti-t është mundur me rezultatin 2-0 në fushën e Hoffenheim, me këta të fundit që kanë parakaluar bavarezët në renditje duke iu bashkuar Dortmundit dhe Hannover-it në vendin e parë.

Protagonisti i takimit ka qenë 26-vjeçari Mark Uth, i cili është bërë lojtari i parë në historinë e Hoffenheim që ka shënuar dy gola në një ndeshje kundër Bayern-it. Ai ka zhbllokuar takimin në minutën e 27-të duke përfituar nga një përgjumje e mbrojtjes mike dhe duke mposhtur Neuer me një goditje të shpejtë me të majtën. Në minutën e 51-të ai, i lënë vetëm në zonën e rreptësisë nga Hummels me shokë, ka mbyllur takimin duke realizuar edhe golin e dytë.

Një rezultat befasues ky për Bayern-in që ka përfunduar në vendin e gjashtë të renditjes, zona Europa League, me gjashtë pikë. Kështu, bavarezët nuk kanë arritur të përfitojnë nga ndalesa e Borussia Dortmund që nuk ka arritur të shkojë më larg se një barazim 0-0 kundër Freiburgut të Abrashit. Gjithsesi, verdhezinjtë kryesojnë renditjen e Bundesliga-s me shtatë pikë.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Bundesliga