UFC

Holly Holm rikthehet te fitorja, Amanda Nunes e fton në duel për titullin

Holly Holm, ish-kampione e botës në artet marciale mikse në peshën “bantamweight” (pesha gjel), duket se do të ketë sërish shansin për të dueluar për titullin e kësaj peshe. Në nëntor të 2015-ës, Holm shkroi historinë duke ndalur legjendën e këtij sporti Ronda Rousey, por këtë gjë mund ta përsërite edhe 3 vite më vonë, në moshën 36-vjeçare.

Në eventin e UFC-225, Holly Holm fitoi me vendim unanim të gjyqtarëve ndaj Megan Anderson, sukses që mund t’i hapë sërish dyert në një duel për titull. Për më tepër që është vetë kampionia e peshës “bantamweight”, Amanda Nunes, ajo që ia ka bërë ftesën për t’u përballur në kafaz. “Luanesha” Nunes, përmes një mesazhi në “Twitter” u shpreh: “Holly Holm, eja ta zhvillojmë duelin”.

Një mesazh i thjeshtë por i qartë se Nunes (16 fitore e 4 humbje në karrierë) ka zgjedhur rivalen e radhës, ndaj së cilës do të mbrojë titullin kampion. Ajo është Holly Holm (12 fitore e 4 humbje në karrierë) edhe pse ende nuk ka asgjë zyrtare, pasi kampionia amerikane ka vetëm 48 orë që ka zbritur nga duel i fundit në kafaz.

Nuk dihet ende nëse edhe Dana White, presidenti i UFC-së, do ta lejojë zhvillimin e kësaj sfidë, apo do të bëjë realitet ëndrrën e tij, për një derbi brazilian mes Nunes dhe Cris Cyborg, të dyja kampione bote (kjo e fundit në peshën pupël – featherweight). Gjithsesi, nëse palët bien dakord, një duel mes Nunes dhe Hollm mund të zhvillohet në periudhën shtator-tetor të këtij viti.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga UFC