• Hoxha: Kundër Fenerbahçe-s të tregojmë sa vlejmë

    Publikuar: 10 Jan 10:11

    Partizani ka mbyllur sot përgatitjet për ndeshjen e parë miqësore me Fenerbahçe-n në kuadër të kolaudimit të skuadrës për pjesën e dytë të kampionatit. Kjo miqësore do të zhvillohet në Turqi, aty ku të kuqtë po stërviten nën drejtimin e Sulejman Starovës dhe stafit të tij teknik. Në prononcimin para ndeshjes kapiteni Albana Hoxha, për “Supersport” thotë se ky takim është një mundësi e mirë për futbollistët të tërheqin vëmendjen e menaxherve të huaj.

    “Është një ndeshje miqësore por është një sfidë e rëndësishme sepse bëhet fjalë për një kundërshtar të madh si Fenerbahçe. Ne do të japim maksimumin në fushë për të bërë një paraqitje pozitive. Do të ketë shumë menaxherë në atë sfidë dhe të gjithë lojtarët do të përpiqen të tregojnë veten”, tha 29-vjeçari.

    Hoxha e pranon se rruga për të mbërritur te titulli është e gjatë dhe tepër e vështirë, por beson se Partizani i ka të gjitha mundësi të kthej titullin në kryeqytet. “Po përgatitemi mirë pasi duam të kthehemi në Shqipëri sa më të fortë, kemi objektiv titullin kampion dhe duam që këtu në Antalia, të përgatitemi maksimalisht për rifillimin e kampionatit. Edhe rivalët tanë po punojnë fortë ashtu si ne dhe nuk do të jetë e lehtë. Për afrimet e reja është herët për të folur por bëhet fjalë për lojtarë cilësorë që mund ta ndihmojnë akoma edhe më shumë skuadrën tonë”, deklaroi portieri i të kuqve.


    Lexo postimet e tjera