Kampionati Shqiptar

Humbja 4-0, Dalipi: Ndikuan shumë mungesat në mbrojtje

Një humbje 4-0 me Kukësin do të jetë shumë e vështirë për tu përtypur nga ana e Partizanit. “Demat e kuq” u mundën pasditen e sotme në “Zeqir Ymeri” nga një Kukës në super formë. Të udhëhequr nga Sindrit Guri, i cili tregoi edhe një herë se përse golashënuesi më i mirë i Superiores, verilindorët blinduan vendin e dytë. Pas kësaj sfide trajneri i Partizanit, Klevis Dalipi ka folur për mediat, duke u shprehur se mungesat në repartin e mbrojtejes kishin bërë të vetën.

Mes të tjerash Dalipi në fjalën e tij veçoi: “Mungesat që kishim sot patjetër që e bënë më të vështirë. Të lëvizësh shumë lojtarë në fushë në një ndeshje kaq të rëndësishme nuk është e lehtë. Mungesën e Ibrahimit u munduam ta plotësojmë më Prognin, por linja e prapavijës duhet të ketë mentalitet të tillë. Nuk është se bëri keq, por humbëm para nga eksperienca e tij. Në momentin e fundit erdhi lajmi se Belica nuk aktivizohej dot, u mundova të karikoja Atandën, i cili nuk luajti keq, por koha e gjatë jashtë fushës bëri që të mos merreshin vesh mirë sot. Belica me Gojkoviç, falë gjuhës, komunikojnë edhe në fraksion sekonde, ndikon, si në rastin e Gurit.

Para ndeshjes u thashë lojtarëve që të jemi me këmbë në tokë, nuk kemi fituar asgjë, kemi fituar betejën por jo luftën. Kam punuar gjatë javës për të ulur euforinë, por ajo ndjesi jo e mirë m’u shfaq sot në minutat e para. I porosita që terreni nuk na lejon, të mundohemi të bëjmë luftë, të dalim te ajo që dimë më mirë, si për meritë të Kukësit që shfrytëzoi më së miri episodet standarde duke kaluar dy herë në avantazh gjë që e futi në vështirësi skuadrën.”

 

Më shumë nga Kampionati Shqiptar