Kampionati Shqiptar

Humbje për Flamurtarin, Abazaj i jep Europën gjirokastritëve

Një formë e jashtëzakonshme e “fantastikut” Abazaj, i mbështetur nga Bregu me shokë, bëjnë që Luftëtari të fluturojë dhe të jetë shumë pranë sigurimit të pjesëmarrjes në Kupat e Europës këtë verë që po vjen. Skuadra e Hasan Likës ka mundur në shtëpi Flamurtarin me rezultatin 2-1.

Ndeshja fillon me agresivitet dhe skuadrat kërkojnë që imponohen në fushën e blertë. Një dalje e gabuar e portierit mik dhe Luftëtari shënon golin e avantazhit me anë të Kristal Abazajt, ende pa u mbushur një minutë lojë. Pas golit, Flamurtari mundohet të reagojë, vlonjatët rrisin presionin dhe i afrohen portës, por nuk e kanë saktësinë e duhur për të arritur deri tek goli.

Në minutën e 32’ vjen një perlë e Kristal Abazajt. Mesfushori ekzekuton në mënyrë perfekte një goditje dënimi nga e majta, duke e çuar topin në trekëndësh, ku ishte i pakapshëm për portierin e Flamurtarit dhe dyfishon avantazhin për vendasit. Pas këtij goli, Flamurtari duket i shokuar dhe nuk arrin dot që të reagojë në mënyrën e duhur.

Në fraksionin e dytë të ndeshjes, kuq e zinjtë hyjnë më të vendosur për të bërë diçka në këtë ndeshje. Lojtarët e Ardi Beharit e fillojnë mirë pjesën  e dytë, teksa në minutën e 52’ Bicaj shkurton diferencën. Me këtë gol të shënuar, Flamurtari merr zemër dhe hidhet në kërkim të barazimit, por vendasit janë sërish të rrezikshëm kur dalin përpara. Vlonjatët do të gjenin golin e barazimit në fund, por që do të anulohej nga arbitri, për shkak të një prekje me dorë.

Në fund, gjithçka mbyllet me një fitore me diferencë të ngushtë për Luftëtarin, që  tashmë e shikon më të sigurtë pjesëmarrjen në Europë. Ndërsa për Flamurtarin, kjo ishte goditja finale dhe Europa tani shikohet me dylbi.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Kampionati Shqiptar