MMA

Hyri në kafaz dhe sulmoi gjyqtarin, McGregor përjashtohet nga UFC-219

Rikthimi në kafaz i Conor McGregor mund të shtyhet për vitin 2018, pasi UFC mund të lërë jashtë eventit të saj UFC-219, që zhvillohet më 30 dhjetor, kampionin irlandez të arteve marciale mikse. Incidenti i pak ditëve më parë në Bellator 187 (u zhvillua në Dublin, Irlandë), ku McGregor hyri në kafaz pas një dueli dhe kërcënoi gjyqtarin mund t’i kushtojë rëndë kampionit të botës në peshën e lehtë. Ai që ka ngritur zërin është presidenti i Association Boxing Commissions (ABC), Mike Mazzulli.

Ja cfare ndodhi ne eventin Bellator 187, te zhvilluar ne Irlande

Mazzulli i ka kërkuar presidentit të UFC-së, Dana White, të përjashtojë irlandezin nga eventi i UFC-219, ku McGregor pritet të mbrojë titullin kampion ndaj Tony Ferguson. “Ajo që bëri McGregor është e papranueshme dhe e patolerueshme për këdo dhe drejtuesit e UFC-së duhet të marrin urgjentisht masa. Ata më garantuan se edhe pse McGreor ishte planifikuar për të dueluar në UFC-219, do ta përjashtojnë nga ky event”, u shpreh Mike Mazzulli, që i referohet një bisede telefonike që ka bërë me përfaqësuesit e arteve marciale mikse (MMA).

Kampioni irlandez i UFC-se, Conor McGregor

Gjithsesi, ende nuk konfirmohet nga UFC-ja apo nga presidenti i saj Dana White nëse irlandezi do të lihet jashtë eventit të UFC-219, që zhvillohet më 30 dhjetor, në Las Vegas. McGregor bëri një gjest të shëmtuar në eventin e Bellator 187, kur hyri në kafaz për të festuar dhe më pas tentoi të sulmojë gjyqtarin, por u ndalua nga punonjësit e sigurisë. Irlandezi pritet të mbrojë titullin kampion ndaj Ferguson, ndërkohë që nuk duelon në kafaz që prej një viti. Në gusht të këtij viti, ai debutoi në sportin e boksit, ku u mund me “KO teknik” në raundin e 11-të nga Floyd Mayweather.

Më shumë nga MMA