• I shënoi Partizanit, B. Dortmund do sulmuesin rus

    Publikuar: 3 Jan 9:58

    Borussia Dortmund aktualisht po kërkon për ndonjë mundësi të mirë në merkaton e janarit dhe pozicioni ku pritet të ndërhyjë është sulmi. Nëse Adrian Ramos do të shitet në Kinë, për kolumbianin nevojitet një zëvendësues, sidomos ngaqë Pierre-Emerick Aubameyang do të mungojë në javët e para të janarit prej pjesëmarrjes së tij në Kupën e Afrikës. Kështu, një kandidat i përmendur për verdhezinjtë është Fedor Smolov (Krasnodar), lojtari i cili vjet i shënoi Partizanit në ndeshjen e parë kualifikuese për Ligën e Evropës.

    Agjenti i 26-vjeçarit rus ka shtuar edhe më tepër spekulimet, kur e konfirmoi këtë lajm për gazetën ruse “Sport-Express”. “Dortmund po e ndjek me kujdes gjendjen aktuale të Smolov-it, por transferimet në janar në përgjithësi janë të vështira“, – u shpreh German Tkachenko. Sakaq, vetë lojtari ka zbuluar planet e tij që në muajin dhjetor. “Kam një skuadër të cilën nuk do ta refuzoja. Për të do të isha gati të largohesha që në janar, – ka deklaruar ai. Sipas medieve vendëse, Smolov e ka pasur fjalën për nënkampionët e Gjermanisë.

    Kontrata aktuale e sulmuesit përfundon në vitin 2019. Këtë sezon, ai ka shënuar 15 gola në 18 ndeshje. Vlera e tij llogaritet rreth 10 milionë euro. Në ditët e fundit, ndërkohë, katër emra të tjerë janë lidhur me Borussia-n, M’Baye Niang (AC Milan), Jean-Kevin Augustin (PSG), Rui Pedro (Porto) dhe Guillermo May (Club Nacional). Të gjithë janë lojtarë të cilët premtojnë, por trajneri Thomas Tuchel nuk do të nxitohet, sepse ka disa mesfushorë të aftë për të luajtur në sulm, si Marco Reus, Andre Schürrle dhe Mario Götze.


    Lexo postimet e tjera

    Breaking