Atletikë

IAAF hap dritën jeshilë për 18 atletë rusë të garojnë si neutralë

Federata Ndërkombëtare e Atletikës (IAAF) ka bërë me dije se 18 atletë rusë mund të garojnë në eventet ndërkombëtare, por si sportistë neutralë. “Qeveria” e atletikës ndërkombëtare ka bërë me dije se ka marrë më shumë se 80 aplikime nga sportistët rusë për të garuar, por ka miratuar vetëm 18 kërkesa. Të gjithë sportistët e lejuar mund të marrin pjesë në Botërorin e sallave të mbyllura, që zhvillohet në Birmingm, në mars të këtij viti.

Siç dihet, Rusia është përjashtuar nga të gjitha eventet sportive ndërkombëtare nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, për shkak të skandalit doping, përfshi edhe Olimpiadën dimërore që nis më 9 shkurt. Në Lojërat Olimpike dimërore “Pyeongchang 2018” mund të garojnë si neutralë rreth 390 sportistë rusë, por një vendim përfundimtar për këtë gjë do të merret nga IOC më 27 janar, 13 ditë para fillimit të këtij eventi ndërkombëtar. Presidenti i IAAF-it, Sebastian Coe, tha: “Përmes këtij procesi, ne vazhdojmë të mbështesim atletët e pastër që të garojnë në eventet kryesore”.

Lista e atletëve që mund të garojnë si neutralë

Disk: Viktor Butenko, Yuliya Maltseva

Hedhje çekiçi: Danila Danilov, Sofiya Palkina, Aleksei Sokyrskii

Hedhje gjyle: Aleksandr Lesnoy

Kërcim me shkop: Alyona Lutkovskaya, Ilya Mudrov, Olga Mullina, Anzhelika Sidorova

3-hapësh: Alexsey Fedorov, Irina Gumenyuk, Viktoriya Prokopenko

Kërcim së larti: Mariya Lasitskene, Danil Lysenko

Sprinterë: Vyacheslav Kolesnichenko, Alaina Mamina, Polina Miller

Më shumë nga Atletikë