Atletikë

IAAF: Refugjatët, me ekip në Botërorin e atletikës

Atletët Lydia Philip Mamun (400m), Sunday Kamisa Peter (800m) dhe Mohammed Ahmed Abubakar (1500m) do të përfaqësojnë ekipin e refugjatëve në Botërorin atletikës, që zhvillohet javën e ardhshme në Londër. Presidenti i IAAF-it, Sebastian Coe, ka takuar nga afër tri sportistët dhe trajnerët e tyre gjatë përgatitjeve që ata janë duke bërë për këtë turne. Ky nuk do të jetë eventi i parë që këta tri sportistë marrin pjesë, pasi dy javë më parë ata garuan nën flamurin e Federatës Ndërkombëtare të Atletikës (IAAF) edhe në Botërorin U-18, që u zhvillua në Afrikë.

Presidenti i IAAF-it, Sebastian Coe, me sportistët e ekipit te refugjateve

Mamun dhe Peter janë me origjinë nga Sudani Jugor, ndërsa Abubakar është nga Etiopia. Ata janë stërvitur kohët e fundit në Kenia dhe pritet që të spostohen në Britaninë e Madhe javën e ardhshme. IAAF-i duket se po ndjek gjurmët e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), që një vit më parë vendosi të lejojë pjesëmarrjen në Olimpiadën e “Rio 2016” të një ekipi refugjatësh. IAAF-i ka mbështetur nga afër këta sportistë prej disa muajsh dhe është në kërkim të talenteve të tjera që mund të lënë gjurmë në këtë sport, duke promovuar lëvizjen olimpike.

Më shumë nga Atletikë