Futboll

Ibra “djeg” parashikimet: “Gjuri është thuajse gati!”

José Mourinho e pret në fushë në janar të vitit të ardhshëm, por Zlatan Ibrahimovic synon të djegë të gjitha etapat dhe parashikuesit, për të shkuar përtej pritshmërive dhe të rikthehet para afatit të përcaktuar nga stafi mjekësor. Fjalët e shpresës për tifozët e Manchester United kanë mbërritur nga vetë suedezi. “Gjuri është thuajse në rregull. Dua që të gjithë të kenë durimin dhe kur të kthehem të gjithë do ta dinë. Vazhdoni të më mbështesni, të kini durim dhe do të rikthehem më i fortë se kurrë”, deklaroi Ibra.

Mourinho mendon se Ibra do të rikthehet në fushë në janar, por ndërkohë e ka përfshirë në listën e fazës së parë të Champions League, që përfundon në dhjetor. Me siguri, më shumë si një shpresë, por “Special One” e di që suedezi është i aftë të bëjë mrekulli dhe dëshira e tij e madhe për tu rikthyer mund të shërbejë si benzinë për të përshpejtuar rikthimin. Një gjë është e sigurtë, Ibrahimovic nuk ka humbur kurrë optimizmin e tij. Gjatë një vizite te fabrika e Volvo në Göteborg, Zlatan deklaroi: “Vizita ime ndaloi punën në të gjithë fabrikën, por më premtuan se do të punonin më fort se kurrë”, bëri shaka Ibra, i cili zbuloi sekretin e jetëgjatësisë në futboll, “Duhet të punosh gjithmonë fort, duhet të besosh te ajo që bën. Jam një njeri që nuk kënaqet kurrë. Jetoj për të qenë më i miri”.

Më shumë nga Futboll