• Ibrahimi s’e pranon stolin, mund të ikë nga Partizani

    Publikuar: 10 Mar 11:01

    Ish-mbrojtësi i Prishtinës, Labinot Ibrahimi, aktualisht anëtar i Partizanit të Tiranës, që lufton për titullin kampion në kampionatin shqiptar, nuk po gjen hapësirën e merituar. Ai ka javë që nuk po luan rregullisht, sidomos në ndeshjen e fundit. Futbollisti nga Lipjani nuk po kalon një periudhë të mirë dhe, sipas situatës që vazhdon, nuk është dhe larg mendsh që të largohet nga ky mjedis. Ibrahimi ka qenë e pamundur të kontaktohet pse nuk po luan minuta të plota, ose pse mbetet në pankinë. Ai së fundi luajti 45 minuta në fitoren udhëtuese 1-0 kundër Laçit. Gjendja është e mjegulluar për futbollistin, ose ekziston mundësia e ndarjes së rrugës mes Ibrahimit dhe të kuqve.

    Cila është e vërteta? A ka ndokush inat ndaj tij, ndonëse Ibrahimi është në formë të mire? Merret vesh se Ibrahimi është i zemëruar në njëfarë forme, që nuk ka minuta të bollshme. Kjo pakënaqësi e tij mbetet të shihet nëse do të rezultojë në braktisje të “demave” dhe shtegtim diku tjetër. Ai ka gjasa të rikthehet në Kosovë, por eventualisht mund të luajë edhe me ndonjë skuadër tjetër shqiptare. Flitet se disa skuadra po e ndjekin me shumë kujdes situatën dhe në momentin e ndarjes me Partizanin janë gati ta angazhojnë Ibrahimin në radhët e tyre.
    Nga Prishtina, KEMAJL GOCA


    Lexo postimet e tjera