Futboll

Icardi “poker” dhe rekord, Inter shpartallon 5-0 Sampdoria

Inter ka fituar 5-0 ndaj Sampdorias në stadiumin “Marassi” të Xhenovës, në ndeshjen e vlefshme për javën e 29-të të Serisë A, duke u ngjitur përkohësisht në vendin e katërt. Një fitore e lehtë dhe e merituar e skuadrës së trajnerit Luciano Spalletti, që triumfoi falë 4 golave të realizuara nga kapiteni Mauro Icardi (goli i parë u realizua nga Perisic). Ky “poker” e ngjit sulmuesin argjentinas të Interit në kuotën e 103 golave në Serinë A (22 gola këtë sezon), ndërkohë që hyn në historinë e klubit zikaltër, si lojtari i parë që realizon një tregolësh brenda 45 minutave të para (hera e dytë në karrierë që realizon katër gola në një ndeshje për Interin).

Icardi realizoi golin e 100 ne Serine A nga pika e bardhe

Minutat e para të ndeshjes janë të vakta, skuadrat qarkullojnë shumë topin në mesfushë dhe duhet pritur minuta e 20-të që të vijnë kërcënimet e para për gol dhe ato janë të Interit. Skuadra zikaltër ka dy raste të mira për të shënuar, por në të dyja rastet është portieri Viviano ai që ndal me pritjet e tij.

Por në minutën e 26-të, mbrojtja e Sampdorias dorëzohet, pasi është Ivan Perisic ai që realizon golin e avantazhit pas një gjuajtje me kokë. Por furia e Interit nuk ka mbaruar këtu, pasi në harkun kohor të dy minutave është Icardi ai që shënon dy gola, fillimisht me penallti (minuta e 29-të) dhe më pas më thembër në minutën e 31-të, duke vulosur fitoren.

Por makthi i Sampdorias nuk mbyllet këtu dhe që kjo është një tjetër ditë tersi për gjenovezët kjo kuptohet edhe kur Zapata godet shtyllën pas një gjuajtje me shpresën për të rihapur ndeshjen. Ndërsa Icardi, në mbyllje të 45 minutave të para, realizon edhe golin e katërt për Interin dhe pjesa e parë mbyllet 4-0 për miqtë.

Asgjë nuk ndryshon në pjesën e dytë, me Interin që kontrollon lojën, duke realizuar edhe golin e pestë në minutën e 51-të me Icardin, që realizon kështu një “poker” para ish-tifozëve të tij. Sampdoria është në një ditë të keqe, nuk ka grintë dhe forca për të reaguar dhe pas katër golave të pësuar një javë më parë sot regjistron një tjetër ndeshje të dobët, duke i thënë “lamtumirë” ëndrrës për një vend në Europë. Ndërsa Inter hedh një tjetër hap drejt kualifikimit në Champions League.

Më shumë nga Futboll