Champions League

Icardi: “Rikthimi te Barcelona është special, shans i Inter mungesa e Messi”

Ndonëse nuk ushqen ndenja hakmarrje ndaj Barcelonës që e përcolli kur ishte shumë i ri, Icardi të mërkurën nuk do të ndjejë keqardhje nëse katalanasve do t’u shënojë gol, mbase të tretin personal për atë në po aq ndeshje në Champions League. “Nuk kam luajtur kurrë në këtë stadium, mund ta kisha bërë në Trofeun Gamper me Sampdorian, por u grumbullova me kombëtaren në atë moment. Do të jetë speciale. Dhe është e veçantë të rikthehem në Barcelonë, sepse këtu nisa të bëhem futbollist”, deklaroi Icardi në vigjilje të sfidës që Inter do të zhvillojë të mërkurën në “Camp Nou”, e vlefshme për fazën e grupeve të Champions League.

“Nuk e kam menduar kurrë se çfarë do të kishte ndodhur nëse do të kisha qëndruar. Kur vendosa të largohem e dija se do të ishte shumë e vështirë të luaja këtu me ekipin e parë. Nuk e mendova as një sekond dhe jam shumë i lumtur për atë vendim. Por që të kaloja përmes Barcelonës ka qenë diçka shumë e rëndësishme për karrierën time, jam rritur shumë si futbollist dhe si njeri. Më duhet vetëm të falënderoj të gjithë, sepse Barcelona më mundësoi të jem ky që jam sot”, u shpreh bomberi argjentinas i Inter, që ka folur edhe një herë në lidhje me aludimet të cilat e lidhin kapitenin zikaltër me Real Madrid.

“E përsëris çdo javë. E dini se cili është qëllimi im. Jam shumë mirë në Milano, edhe familja ime është shumë mirë aty. Në këtë moment nuk kam nevojën dhe as dëshirën që të largohem nga Inter. Ofertat vijnë gjithmonë, por këtu jam kapiten dhe mund të mbroj më së miri ngjyrat e fanellës”, deklaroi Icardi i cili në lidhje me mungesën e Messi u shpreh: “Reagimi im për mungesën e Messit ishte keqardhje, sepse është gjithmonë bukur të ndeshesh me futbollistë të mëdhenj, por natyrshëm që shndërrohet edhe në një shans për ne. Do të jetë i lumtur Miranda”.

Më shumë nga Champions League