Futboll

Ideja e çmendur, trajneri Ernest Gjoka në Iran?

Ernest Gjoka është një nga trajnerët më në zë në Shqipëri, pasi ka fituar gjithçka në karrierën e tij. Tekniku ka arritur të fitojë Kupën e Shqipërisë me Flamurtarin, ndërsa kampionatin dhe Superkupën me Kukësin. Aventura e tij e fundit me Vllazninë nuk rezultoi një sukses për 1001 arsye që dihen. 48-vjeçari nuk ka marrë drejtimin e një ekipi të ri që prej largimit nga ekipi shkodran.

Ai ka patur disa mundësi së fundmi, por që nuk janë konkretizuar. Kamza e donte pas largimit të Devollit, por nuk ranë dakord për anën financiare. Nga krahu tjetër, Drita ishte mundësia e fundit në treg, por garën e fitoi trajneri Shpëtim Duro. Gjoka ka kërkuar gjithmonë një aventurë jashtë vendit. Së fundmi, ai ka provuar një pistë interesante, Iranin, zbulon Telesport.

Duket pak si një mundësi e pamundur, por tekniku shqiptar kërkon të provojë veten dhe në tregun e huaj. Ai ka patur kontakte të lehta për një pistë të tillë. Në shtetin aziatik kërkohet një trajner për 8 muaj me 200 mijë euro përfitime. Mundësia e jetës për Gjokën, por shanset janë të pakta që diçka e tillë të ndodhë. Të shohim dhe të presim, ku i dihet, futbolli është i paparashikueshëm.

Më shumë nga Futboll