FSHF

Igli Tare: Duhen figura të reja, ndryshim në drejtimin e futbollit shqiptar

Një ditë pasi është shpallur “Drejtori Sportiv i Vitit” në Itali, Igli Tare  tjetër vlerësim për Igli Taren ka folur për “Top Channel”, duke dhënë emocionet për këtë vlerësim personal, por edhe komentuar problematikën e futbollit shqiptar, që vitin tjetër shkon në zgjedhjet e radhës për presidentin. Ish-kapiteni i kombëtares sonë thotë se duhet ndryshim në drejtim, në mënyrë që futbolli shqiptar të dalë nga bastet. Ja intervista e plotë e tij:

Igli, së fundi jeni vlerësuar si “Drejtori Sportiv i Vitit” në Itali…
Është thjesht vlerësimi i punës sime. Është një meritë edhe e grupit, e stafit që kam dhe që punon me mua bashkë. Sepse pa ndihmën e tyre është shumë e vështirë që t’i realizosh këto objektiva, ose këto çmime, me të cilat na vlerësojnë.

A keni pasur ndonjëherë mirënjohje nga Shqipëria për pjesën post-futbollit të luajtur?
Nuk e di ta vlerësoj, ose gjykoj këtë aq sa duhet, sepse nuk jam dhe nuk jetoj aty nga afër. Kam shumë njerëz në Shqipëri, të cilët më përshëndesin rrugës, sa herë që jam atje, ose që më japin vlerësimet e tyre. Kjo është pjesa më e bukur që unë ndiej, sepse fakti që i bëj krenarë për këto rezultate, është diçka domethënëse për mua.

E kemi fjalën për pjesën zyrtare?
Nuk më pëlqejnë këto lloj diskutimesh. Jam i linjës që çdokush ka linjën e tij dhe rrugën e tij në jetë. Jam i bindjes që, nëse jeta ime është e lidhur me këto gjëra, nuk do të ecë kurrë përpara. Fokusohem tek puna ime, te rezultatet e mbi të gjitha, pasojë është më pas vlerësimi që marr nga bota ku punoj. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Tashmë, unë nuk jam prej shumë vitesh i lidhur me Shqipërinë, jam më i lidhur me Italinë. Për mediat shqiptare është një gjë që vjen mbas vlerësimit që marr këtu.

 Nëse ju pyesim si menaxher skuadre, çfarë ju mungon sportistëve shqiptarë, që të luajnë në ekipe të mëdha…
Për sa u përket lojtarëve nga Shqipëria, nëse bëhet fjalë për Italinë, është shumë e vështirë, sepse edhe rregullat e kampionatit italian nuk e lejojnë. Janë një ose maksimumi dy ekstrakomunitarë, që mund të lejohen. Si dhe niveli i futbollistëve shqiptarë nuk është i duhuri për t’u marrë në konsideratë nga kjo ligë. Besoj që në ligat e tjera është diçka më e lehtë. E vetmja gjë që mund të bëhet është që të gjithë komponentët e futbollit aty në Shqipëri të punojnë në mënyrë që të rritet niveli i futbollit shqiptar. Të mos jetë vetëm Skënderbeu si “qershia mbi tortë”, por të jenë edhe skuadrat e tjera që kanë potencial për të përfaqësuar futbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Dhe mbi të gjitha, të eliminohet absolutisht ajo që është plaga më e vjetër e futbollit shqiptar. Duhet të dalin komplet nga problematikat me ndeshjet e kombinuara, ose me bastet.

Cili është një talent i veçuar nga Shqipëria?
Isha dy ditë në Tiranë dhe pata mundësinë që të ndiqja edhe U-19 me Malin e Zi, por nuk pashë diçka të veçantë. Nuk i ndjek shumë nga afër prej kohës së limituar. Me informacionet që kam, janë disa lojtarë të U-17, që kanë një retrospektivë premtuese për të ardhmen, por duhet t’ia lëmë kohës. Gjëja më e mirë është që këto lojtarë të kenë mundësinë që të luajnë në kampionate më kompetitive se kampionati shqiptar. Ajo do ta ndihmonte shumë rrugën e tyre.

A keni një objektiv të ri për veten, pas arritjeve si futbollist dhe aktualisht si drejtues i një ekipi të madh?
Objektivat janë gjithmonë pa limit. Ajo që duket e paarritshme, falë punës bëhet gjithmonë e arritshme. Do të kisha shumë dëshirë që ta ngrija nivelin e kësaj skuadre për të arritur objektivat tone, që të shkojnë në Champions dhe mbi të gjitha për të luftuar këtë vit në “Europa League”. Për të qenë protagonistë këtë vit dhe ndoshta edhe për ta fituar.

Sa herë përflitet në futbollin tonë për një frymë të re, gjithmonë përmendet emri juaj. E shihni veten si opsion për të ardhmen, për të qenë drejtues i FSHF-së?
Për të ardhmen, ndoshta po. Për momentin jo, sepse e ndiej veten akoma shumë të lidhur me fushën, me skuadrën, me futbollin e përditshëm. Kjo është diçka që më mban gjallë. Një ditë do të doja me shumë dëshirë që ta jepja kontributin edhe për futbollin shqiptar.

Deri sa të vijë ky moment, a keni ndonjë këshillë për drejtuesit aktualë të futbollit, si profesionist i kësaj fushe?
Ajo që ka nevojë futbolli shqiptar është fakti që duhet të bëjë një ndryshim. Do të ishte shumë gjë e mirë për futbollin shqiptar në drejtimin e federatës. Nuk kam asnjë lloj polemike, por është diçka që do ta ndihmonte shumë edhe si lëvizje. Ndoshta me figura të reja që kanë motivim dhe dëshirë për ta çuar akoma më lart punën e njerëzve që kanë punuar deri më sot. Do të ishte diçka pozitive.

Opinioni juaj për ndeshjen e fundit të kombëtares, me erën “Panuçi”…
Janë ndeshje që e ndihmojnë shumë trajnerin për ta konsoliduar ekipin dhe për të njohur elementë të rinj, që mund t’i afrojë për eliminatoret e Europianit. Besoj se Shqipëria e ka kualitetin për të qenë favorite, për të shkuar prapë në Europianin tjetër. Sepse, vetë mundësia e kualifikimit është më e madhe, duke qenë se ndodhet edhe në një vazo që e favorizon në shortin e ardhshëm. E uroj me gjithë zemër që ta arrijë sërish këtë sukses të madh dhe kualifikimi në Francë të mos jetë një gjë e veçantë, por të ketë vazhdimësi.

Më shumë nga FSHF