Kategoria Superiore

Ikën Ze Maria, në krye të Tiranës pritet Ardian Mema

Ikën Ze Maria, në krye të Tiranës pritet Ardian Mema

Ze Maria është gjithnjë dhe më larg Tiranës. Të paktën kështu ka ndodhur sot, teksa trajneri i bardhebluve ka shkuar në stërvitje vetëm 10-të minuta, ku ka pasur një takim të shkurtër me lojtarët dhe stafin, dhe më pas është larguar nga terreni stërvitor “Skënder Halili”. Trajneri Ze Maria mësohet të jetë nisur në një takim me presidentin Refik Halili, për të diskutuar rreth prishjes së kontratës, e cila për hir të së vërtetës nuk ka asnjë kaluzolë në favor të klubit bardheblu, çka e detyron këtë të fundit, që në rast të mos gjetjes së marrëveshjes më brazilianin, të paguajë gjithë detyrimet financiare që rrjedhin si rrjedhojë e neneve në kontratë.

Por nëse ende nuk është zyrtarizuar nga klubi largimi i trajnerit Ze Maria, kjo mbetet vetëm çështje orësh, pasi këtë pasdite mediat janë lajmëruar se nesër në orën 12:00 do të zhvillohet një konferencë për shtyp, që me shumë mundësi do të zhvillohet pikërisht për prezantimin e trajnerit  të ri.

Dy janë kandidatët kryesor për të marrë drejtimin e Tiranës. I pari është Ardian Mema, aktualisht zëvendës trajner i Flamurtarit, një nga bashkëpuntorët e afërt të Ilir Dajës. Emri i Memës ishte përfolur më herët dhe gjasat janë që marrëveshja me atë të jetë mbyllur. Sakaq në media qarkulloi dhe emri i Besnik Prengës, por ky i fundit me shumë gjasa do të ketë rolin e skautit, për të afruar lojtarë cilësor gjatë merkatos së janarit për ekipin bardheblu.

Gjithçka pritet të mësohet në orët në vijim, kur klubi bardheblu të dalë me një komunikatë zyrtare për të sqaruar situatën. Largimi i Ze Marias ishte vetëm çështje kohe, pasi skuadra pati ecuri shumë të dobët nën drejtimin e tij në tetë javët e para të kampionatit. E vetmja pengesë për shkarkimin e tij më herët ishin lekët që ai duhet të merrte si dëmshpërblim. Por tashmë gjithçka ka marrë fund, dhe për të mirën e klubit, presidenti Halili i jep fund bashkëpunimit me Ze Marian.

Më shumë nga Kategoria Superiore