Kampionati Shqiptar

Ikën Ze Maria, vjen Mema; dy klubet njoftojnë rrokadën te bardheblutë

Nuk ka më dyshime. Ardian Mema do të jetë trajneri i ri i Tiranës. Emri i tij u përfol edhe një javë më parë, por si duket mosarritja e marrëveshjes për të ndërprerë bashkëpuinimin me Ze Marian, bëri që presidenti Refik Halili të priste ditën e sotme për të zyrtarizuar “divorcin” me brazilianin. Në kohën që kreu i klubit bardheblu dhe trajneri në ikje po flisnin për gazetarët në “Selman Stermasi”, nga Vlora ka ardhur konfirmimi tjetër.

Flamurtari ka mbyllur bashkëpunimin me zv.trajnerin Ardian Mema, duke e lënë atë të lirë për t’u kthyer në familjen natyrale dhe të gjakut, atë bardheblu. Hapet kësisoji rruga e rikthimit të tij te Tirana, tashmë në rolin e trajnerit të parë, pasi e ka provuar diçka të tillë dhe si zv.trajner, në kohën e Ilir Dajës, ndërsa si futbollist i ka kushtuar tërë karrierën, bashkë me familjen e madhe.

Klubi vlonjat ka bërë këtë njoftim: “Zyrtare! Flamurtari bën me dije mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin e dytë, Ardian Mema. Kemi vendosur të ndërpresim me mirëkuptim marrëveshjen mes palëve. Duke e falënderuar për bashkëpunimin, Flamurtari i uron suksese në karierën e tij si trajner”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar