Kombëtarja

Ikin dy, vijnë dy të tjerë; zhvillime të paparashikueshme në kombëtare

Kombëtarja vijon përgatitjet për ndeshjen e së dielës në Beer Sheva, kundër Izraelit. Një përplasje zyrtare kjo, pas miqësores me Jordaninë në “Elbasan Arena”, në kuadrin e Ligës së Kombeve. Dhe ka zhvillime të paparashikueshme në kampin kuqezi.

Për shkak të problemeve fizike, konkretisht tërheqjeve muskulare të pësuara gjatë ndeshjes miqësore ndaj Jordanisë, futbollistët e ekipit kombëtar, Frederik Veseli dhe Ylber Ramadani janë larguar nga grumbullimi, për të vijuar me fazën riaftësuese në klubet e tyre. Trajneri Christian Panucci, ndërkohë, ka bërë menjëherë zëvendësimet e duhura.

Kështu, brenda ditës së sotme, kombëtares do t’i bashkohen në Durrës mbrojtësi Ivan Balliu dhe mesfushori Sabien Lilaj, të cilët do të jenë në dispozicion të trajnerit për ndeshjen ndaj Izraelit, e cila do të luhet më 14 tetor, ora 20:45, në Beer Sheva. Kombëtarja e Shqipërisë, sipas programit, sot ka zhvilluar seancën e parë stërvitore, teksa do të ketë edhe një të dytë pasdite, por me dyer të mbyllura.

Ramadani u aktivizua ndaj Jordanisë, teksa mori edhe një goditje në kavilje, në pjesën e parë. Një shqetësim të cilin e ka shfaqur edhe në stërvitjen e fundit. Pasi stafi mjekësor ka bërë kontrollet e duhura, u vendos që lojtari të largohej. Sa i përket futbollistit të Empolit, Veseli, ai ka pësuar një tërheqje në stërvitje dhe mund të rrezikojë edhe dy javë jashtë fushave.

Më shumë nga Kombëtarja