Futboll

Ilir Daja: Dominuam, por pa marrë të gjitha pikët

Në përballjen e tij të parë ndaj Tiranës, që nga koha kur u largua prej drejtimit të bardhebluve, sot në krye të ekipit të Skënderbeut, trajneri Ilir Daja, ndjen keqardhje për dy pikët e lëna, pas barazimit 2-2 të regjistruar në përballjen e luajtur këtë mbrëmje në “Selman Stërmasi”, e vlefshme për javën e 25-të të kampionatit. Një pikë që i jep kampionëve në fuqi kreun e klasifikimit, por vetëm provizorisht dhe me 1 pikë të vetme epërsi ndaj Kukësit, që të shtunën luan në shtëpi ndaj Korabit. Sipas Dajës, ekipi i tij dominoi me lojë, duke zbatuar përpikmërisht detyrat, por pa mundur të sigurojë fitoren dhe tre pikët.

Skënderbeu kryeson në kuotën e 49 pikëve, 1 më shumë se Kukësi që ka një ndeshje më pak.

“E pata thënë edhe përpara që sfida ndaj Tiranës ishte e vështirë, por e bëmë më të vështirë pasi pësuam gol nga goditjet standarde. Besoj se ekipi tregoi karakter, edhe pse ishim në disavantazh arritëm të barazonim. Besoj se kemi dominuar fushën, luajtëm gati për 20 minuta me pesë sulmues. I provuam të gjitha. Nuk kemi asnjë pishman përveç pikëve, gjithçka e kemi bëmë mirë. Të pësosh dy gola nga goditje standarde, nuk do të thotë që nuk kemi luajtur mirë, për më tepër kur lojën e kemi patur të spostuar në gjysmëfushën kundërshtare. Jam i kënaqur me ekipin që ka zbatuar përpikmërisht të gjitha porositë tekniko-taktike”, deklaroi ndër të tjera trajneri i Skënderbeut,Ilir Daja.

Më shumë nga Futboll