Futboll

Ilir Daja: “E merituam fitoren, ishte ndeshja ime më e mirë ndaj Partizanit”

I qetë dhe i lumtur është shfaqur trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja në përfundim të ndeshjes ndaj Partizanit, padyshim i ndikuar nga fitorja 2-0, por edhe performanca perfekte që skuadra e tij shfaqi ndaj kundërshtarit, të dominuar totalisht gjatë të gjithë ndeshjes. Sipas trajnerit Daja, ekipi korçar e meritoi plotësisht fitoren ndaj Partizanit, në një ndeshje që sipas teknikut ishte më e mira e tij ndaj të kuqve. Nga ana tjetër, pavarësisht dominimit që i bëri kundërshtarit dhe startit negativ të sezonit nga ana e këtij të fundit, Daja e konsideron ende Partizanin një rival direkt në garën për titull.

“Sot kemi qenë në të gjitha drejtimet shumë mirë përveç disa episodeve që jam i rezervuar t’i shpreh. Futbollistët kishin frymë gare shumë të lartë duke frenuar kundërshtarin që të zotërojë topin. Bëmë gjithçka mirë dhe gjithçka i takon lojtarëve dhe ne si staf. Nëse do të shprehemi si sot me Partizanin, atëherë do të ishte perfekte, ndonëse ka shumë javë kampionat. Mendoj që e kemi merituar në çdo aspekt fitoren, pasi të gjithë kanë bërë gjithçka shumë mirë. Sot ishim një ekip që funksionoi shumë mirë në 90’ minuta. Është një nga ndeshjet më të mira në përplasjet me Partizanin”, u shpreh trajneri Daja, i cili pavarësisht dominimit total që i bëri të kuqëve dhe startit negative që këta të fundit kanë bërë këtë sezon, vazhdon t’i konsiderojë rival për titull: “Partizani është ndërtuar për të qenë një rival dhe ka potencialin e duhur, ndonëse nuk ka bërë një start të mirë, gjithsesi mbetet rival në rrugën e gjatë të kampionatit”, përfundoi trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja.

Më shumë nga Futboll