Futboll

Ilir Daja: “Jo vetëm fitorja dhe diferenca në pikë, por rikthimi te loja jep garanci”

Me dominim, por me një gol të vetëm në minutat e fundit të takimit, skuadra e Skënderbeut ka triumfuar në supersfidën e javës së 19-të pikërisht ndaj rivalit më të fortë të këtij sezoni, Flamurtarit që është njëherësh edhe ndjekësi më i afërt i korçarëve, ndonëse me plot 11 pikë diferencë tashmë. Panoramë kjo për të cilën trajneri i bardhekuqëve mund të krenohet vërtetë, e gjithashtu të shijojë diktatin e vendosur me ekipin e tij në krye të klasifikimit, madje me një dorë tashmë të vënë mbi trofeun e kampionit, që duket se tashmë është rikthyer në Korçë. Për të gjitha këto, trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja shfaqet i kënaqur dhe i qetë, por ende jo i ngopur.

“Një fitore e rëndësishme, pasi përveç diferencës së pikëve që na jep një qetësi, ajo që na jep garanci për të ardhmen është se po futemi në ritmin që kishim në gjysmën e parë të sezonit. Nuk do bëjmë asnjë shenjë nënvlerësimi, dhe këtë do e bëjmë duke futur rivalitetin në ekip. Ne kemi një stil loje, dhe e kemi të vështirë të dalim nga ai stil. Në stadiumin tonë jemi të lirshëm, edhe pse e dinim se sot do kishim vështirësi, sepse e njihnim Flamurtarin, që kishte ardhur edhe për barazimin. Reaguam që në fillimin e pjesës së dytë, rritëm shpejtësinë e veprimeve. Goli erdhi si pasojë e goditjeve standarte, por kështu fitohen shumica e ndeshjeve. Të luash me vendin e dytë, sigurisht që nuk ke shumë hapësirë për të bërë një manovër sulmuese efikase. Një ndeshje, që të prodhojë spektakël, duhet që lojtarët të jenë të motivuar për të nxjerrë anën e tyre më të mire”, komentoi trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Futboll