• Ilir Daja: Luhet Tirana-Skënderbeu, nuk është sfidë personale

    Publikuar: 9 Mar 9:53

    Në vigjilje të përballjes së tij të parë me të kalurën, ish-ekipin e tij, Tiranën të cilën e drejtoi për gati një vit, trajneri i skuadrës së Skënderbeut, Ilir Daja paraprin me anë të një analize duelin e të premtes. “Në analizën e kundërshtarit duhet të nisemi nga gjendja që ka Tirana në tabelën e klasifikimit, por dhe nga lojërat që ka zhvilluar, pasi gjatë vitit 2017 ka bërë ndeshje shumë të mira. Do të gabonim rëndë nëse do ta nënvlerësonim, sepse brenda ekipit kundërshtar ka kualitetet e duhura. Natyrshëm që është ndryshuar shumë shpesh formacioni, por veçanërisht në përballjet me rivalët tanë, Tirana ka qenë një kundërshtar shumë i vështirë. Por, ne e përballemi për atë që dihet se është objektivi ynë, të marrim fitoren me tre pikët. As ne nuk na mungojnë kualitetet, pasi kemi shumë të tilla në ekip. Më afër fitores do të jetë ekipi që djersin në fushë, por gjithmonë duke vënë në planin e parë logjikën, në atë që quhet ekuilibër taktik”, u shpreh kreu i pankinës së Skënderbeut.

    “Nuk është aspak sfidë personale. Ky është zanati i trajnerit, një ditë je në një ekip, një ditë tjetër në një tjetër. Do të thosha që nuk e njohim njëri-tjetrin, njohim lojtarët, secili ka filozofinë e vet, mënyrën e vet të punës. Luajnë Tirana kundër Skënderbeut, jo Josa me Dajën. Mendoj që trajneri ka ndikimin e vet qoftë në performancën e mirë apo jo të mirë. Por them se sfida është pa diskutim Tirana-Skënderbeu”, deklaroi tekniku i ekipit korçar.

    “Unë e ndaj gjykimin në dy momente. Në njërën anë është shumë mirë kur shkallët e stadiumit janë të mbushura plot. I njoh shumë mirë tifozët e Tiranës, bashkë me të Skënderbeut i japin më shumë spektakël takimit. Por nëse do të nisemi në interesa personale, një mbështetje e fortë e tifozëve të Tiranës karshi ekipit të tyre, do të ishte një bonus shumë i madh për ata. Mungesa e tyre do të ketë një dozë motivimi më të pakët nga ekipi. Por ka edhe anën tjetër, që me këtë mungesë rezultatesh te Tirana, tifozët mund të ishin një lloj presioni për ekipin. Gjithsesi them që nëse do të jenë të pranishëm, do të ishte më mirë për futbollin. Personalisht natyrshëm kam patur një raport shumë të mirë me tifozerinë e Tiranës. I respektoj dhe më respektojnë. Edhe nesër gjithashtu, por natyrshëm duke qenë kundërshtarë”, u shpreh ndër të tjera trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja.


    Lexo postimet e tjera