Futboll

Ilir Daja: “Nuk duhet të na udhëheqin emocionet, s’kemi ritmin e duhur”

Jo shumë i kënaqur është shfaqur trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, në përfundim të ndeshjes së fituar në shtëpi përballë Laçit, me rezultatin e ngushtë 2-1. Një fitore e vështirë, e ndihmuar nga autogoli i kundërshtarit, por njëherësh edhe me Shehin vendimtar, që ka pritur një penallti në minutat e fundit të kohës së rregullt. Panoramë që ka shqetësuar disi trajnerin e korçarëve, Ilir Daja. Sipas Dajës, problemi mbetet administrimi i emocioneve dhe manovra mbrojtëse, duke përmendur edhe mungesën e ritmit. 

“Mbrohen fuqishëm në gjysmëfushën e tyre. Ajo që më shqetësoi mua nuk ishte fakti që nuk mbrojtëm mirë, por fakti që me këtë kontigjent lojtarësh, nuk duhet të na udhëheqi doza emocionale, pra duhet administruar momenti kur jemi ne në epërsi dhe nuk duhet të harrojmë manovrën mbrojtëse që i krijon kundërshtarit mundësinë që të na zërë në kundrasulm. Duhet të punojmë më shumë në finalizim. Kalimi i shpejtë në avantazh i krijon lehtësira ekipit në administrimin e lojës. Na bëri mirë ky pushim, por konstatuam se nuk kemi ende ritmin e duhur. Osmani ishte ndërrim i detyruar, me probleme në pulpën. Patëm probleme në qendër, por më së shumti në shkallëzimin në mesfushë. Nuk ka paralele mes ndeshjes me Kamzën dhe kësaj ndaj Laçit. Nuk dua ta besoj faktin që skuadra nuk jep maksimumin ndaj kundërshtarëve që nuk janë rivalët tanë”, deklaroi trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja.

Më shumë nga Futboll