Connect with us

Europa League

Ilir Daja pas “ekspeditës” kroate: Ju tregoj Dinamon e Zagrebit

Dje ka rinisur stërvitja e Skënderbeut, pas tri ditësh pushimi. Trajneri Ilir Daja ka qenë në “ekspeditë”, duke ndjekur kundërshtarin e “play-off”-it në Ligën e Kampioneve, Dinamon e Zagrebit, në ndeshjen e radhës të kampionatit kroat. Pasi u kthye në Aeroportin e Rinasit, për mikrofonin e “Supersport”, tekniku bardhekuq ka bërë një prognozë të gjendjes aktuale të gjigantëve kroatë: “Kishim tri ditë pushim dhe, duke qenë se në këtë periudhë luhej derbi i Kroacisë, Dinamo me Hajdukun, në kohë rekord klubi dhe presidenti bënë të mundur që unë ta ndiqja ndeshjen direkt. Sepse në çdo moment e shikon fushën në çdo sektor. Është tjetër ta shohësh “live” dhe tjetër nëpërmjet televizorit. Sa i takon Dinamos së Zagrebit, nuk do të ndryshoj asgjë nga ato që kam thënë: janë një ekip shumë i fortë, me shumë kualitete, me lojtarë të rinj të rritur në shkollën e Dinamos dhe me traditë në futboll.

Nuk do të futemi në lojë të dorëzuar, sepse në futboll shanset ekzistojnë, pavarësisht se kundërshtarët janë favoritë. Ne do të bëjmë të pamundurën, që me suportin e tifozëve korçarë, por edhe të gjithë shqiptarëve, të vazhdojmë më tej, pavarësisht se shkalla e vështirësisë është shumë më lart se herët e tjera. Dobësitë e Dinamo Zagreb? Nuk mund të them asgjë, sepse gjatë qëndrimit tim në Zagreb mora informacion se edhe kundërshtarët do të sjellin njerëz për të vëzhguar se si do ta përgatisim ne ndeshjen. Ndoshta jam i detyruar që pas një bisede me presidentin, të paktën javën e dytë të stërvitemi me dyer të mbyllura. Por, kanë edhe ata probleme brenda elementëve tekniko-taktikë. Janë shumë të pakta, por ne do të mundohemi t’i shfrytëzojmë.

Nëse do të hyjmë në fushë me mendimin se Dinamo nuk është më skuadra e dy viteve më parë, do të bëjmë një gabim më të madh. Në një moment kur ndeshja ishte e barabartë, me rezultat dhe me elementë të lojës, në kohën kur Hajduku nuk ishte i përqendruar, pësoi dy gola shumë të shpejtë. Këto ekipe lëvizin pak: Mund të ndryshojnë emrat, por prurjet i kanë shumë të mira. Dhe e dyta, ne nuk duhet të hyjmë në fushë me këtë mendim, por që të qëndrojmë të gjithë të bashkuar dhe të luajmë si grup, për të shfrytëzuar ato dobësi që ne do t’i analizojmë bashkë me ekipin.”

Më shumë nga Europa League