Futboll

Ilir Daja “Realizuam objektivin: 3 pikë dhe mentalitet fitues!”

Ndonëse skuadra e Skënderbeut fitoi sot 2-0 përballë Vllaznisë, trajneri i ekipit korçar, Ilir Daja, është i ndërgjegjshëm që loja e zhvilluar nga bardhekuqtë nuk ishte në nivelet e pritshmërisë. Pavarësisht kësaj, Daja sjell në vëmendje faktin që ekipi realizoi objektivin, sigurimin e 3-pikëshit dhe rikonfirmimin e mentalitetit fitues, që ka ndihmuar skuadrën e Skënderbeut të udhëheqë klasifikimin në këtë fazë të parë të kampionatit, madje me diferenca të konsiderueshme nga vendi i dytë.

“Synimi ynë kryesor në këtë ndeshje ishte koleksionimi i 3 pikëve dhe konfirmimi i mentalitetit fitues, objektiva këto të arritura. Mund të luanim edhe më mirë, por lodhja bën të vetën, sepse kemi luajtur shumë shpesh dhe me intensitet. Nuk kemi shumë mundësi rotacioni, kjo edhe për shkak të dëmtimeve të shpeshta që po na shoqërojnë. Edhe sot kishim disa lojtarë që nuk ishin në maksimumin e tyre. Ne kemi shumë futbollistë dhe disa prej tyre po luajnë vërtetë pak, por ata duhet ta meritojnë formacionin, jo të presin t’u dhurohet. Nuk mund të aktivizojmë futbollistët, nëse ata nuk janë në formën e tyre më të mirë”, komentoi trajneri Daja fitoren e regjistruar në shtëpi përballë Vllaznisë.

Më shumë nga Futboll