UFC

Ilir Latifi sërish në kafaz pas 10 muajsh, duel ndaj Anderson në UFC-232

Eventi UFC-232 që do të zhvillohet më 29 dhjetor në Las Vegas po bëhet gjithnjë e më interesant, teksa sot është konfirmuar se një tjetër duel i madh i është shtuar eventit të fundit të arteve marciale mikse për këtë vit. Bëhet fjalë për duelin e peshës “light heavyweight” në artet marciale mikse mes Ilir Latifit dhe Corey Anderson.

Latifi (14 fitore, 5 humbje dhe një duel pa rezultat), me origjinë shqiptare, renditet i katërti në këtë Divizion, ndërsa rivali i tij amerikan renditet në vendin e shtatë (Anderson numëron 11 fitore e 4 humbje në UFC). Një përballje, që sipas specialistëve, afron më tej Latifin drejt shansit të madh për titullin kampion në këtë Divizion nëse arrin të fitojë.

Dueli i fundit i Ilir Latifit në kafaz daton më 24 shkurt të këtij viti, kur mundi Ovince Saint Preux, ndërkohë që i ka fituar dy përballjet e fundit, duke iu afruar shumë majës së peshës “light heavyweight”. Ndërsa Anderson ka dueluar për herë të fundit më 22 korrik, kur mposhti Glover Texeira.

Dy duelet kryesore të eventit UFC-232 mbeten ato mes Nunes-Cyborg për titullin kampion të peshës “featherweight” dhe Jones-Gustafsson në peshën “light heavyweight” (titulli do t’i hiqet së shpejti Daniel Cormier).

Më shumë nga UFC