Futboll

Iniesta: “El Clasico? Kujtoj vetëm 2-6 dhe 5-0”

Këtë të dielë në Bernabeu do të luhet “El Clasico” mes Real Madrid dhe Barcelona-s, që veç të tjerave ka rëndësi të madhe për sa i takon garës për titull. Dy skuadrat kryesojnë renditjen dhe diferenca mes tyre është vetëm tre pikë më pak për katalanasit (72). Këta të fundit vijnë në këtë përballje pas eliminimit në çerekfinale të Ligës së Kampioneve me Juventus-in, nga i cili pësuan tre gola në vajtje pa mundur të shënonin qoftë një të vetëm në portën e Buffon. Mëgjithatë mesfushori Andres Iniesta është optimist për klasiken dhe hedh vështrimin pas në triumfet më të bujshme ndaj Los Blancos.

Image result for andres iniesta vs real madrid

“Për të mos rënë në presionin që të imponon El Clasico, ku janë shumë gjëra në lojë, tentoj të izolohem nga çdo gjë e jashtme dhe të përqendrohem te futbolli. Me kalimin e viteve kjo supersfidë përjetohet ndryshe, edhe pse është gjithnjë speciale dhe dallon nga të gjitha tensionet dhe emocionet”, u shpreh Iniesta. Ndërkohë mesfushori blaugrana kërkon frymëzimin në rezultatet e thella të skuadrës së tij: “Kam përjetuar shumë El Clasico, të të gjitha llojeve. Por më kujtohen më shumë momentet pozitive dhe të rëndësishme për skudrën time. Rezultatet, 2-6 atje dhe 5-0 në shtëpi. Ne kemi bërë gjithashtu shumë ndeshje të mira në Bernabeu dhe kemi njohur disfata, disa shumë më të rënda se të tjerat”, shtoi Iniesta. Kjo është java e 33-të e La Liga, ndërkohë kujtojmë se Real Madrid (75 pikë) ka një ndeshje më pak të luajtur, atë ndaj Celta Vigo.

Më shumë nga Futboll