Futboll

Insigne: “I kërkojmë falje Italisë, pranoj zgjedhjet e Ventura-s”

Lorenzo Insigne, futbollisti i Napolit dhe përfaqësueses së Italisë, i shndërruar në protagonist ndonëse nuk u aktivizua për asnjë minutë ndaj Suedisë, në ndeshjen e dytë play-off, madje i konsideruar edhe si një prej motiveve të dështimit të azzurrëve në tentativën për tu kualifikuar në Botërorin e Rusi 2018, foli sot për “Sky Sport”. Në rikthimin e tij në Napoli, pas barazimit të së hënës në “San Siro” ndaj Suedisë, që shënoi edhe eliminimin e Italisë nga finalet e Botërorit, Insigne deklaroi: “Më vjen keq që nuk do të shkojmë në Botëror sepse është një kompeticion shumë i bukur. Dhamë shpirtin deri në fund. I kërkojmë falje popullit të Italisë, do të rimëkëmbemi herën tjetër”

“Kam thënë gjithmonë se do t’i pranoja zgjedhjet e trajnerit, kështu është në rregull. Nuk pendohem, dje ishte një ndeshje për tu fituar. Trajneri besoi se ata ishin burrat e duhur. Pranoj zgjedhjes, sepse me fanellën e përfaqësueses kështu duhet bërë gjithmonë. Unë do të jem gjithmonë në dispozicion të kombëtares. Ta udhëheq? Nëse do ta kem këtë detyrë, shpresoj të jem në lartësinë e duhur. Objektivi im tani është titulli kampion me Napolin. Do të japim gjithçka për të arritur të parët në maj”, përfundoi ylli i Napolit, Insigne.

Më shumë nga Futboll