Connect with us

Kampionati Shqiptar

“Intelektualët e Rinj” shkodranë duan transparencë nga Vllaznia

Ditën e enjte, pas mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Shkodrës, ashtu siç është bërë e ditur, do të zhvillohet Asambleja e Klubit të Futbollit “Vllaznia”.

Ditën e enjte, pas mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Shkodrës, ashtu siç është bërë e ditur, do të zhvillohet Asambleja e Klubit të Futbollit “Vllaznia”. Ajo ishte planifikuar të mbahej më 30 mars, por për mungesë kuorumi të anëtarëve u shty. Pikërisht, një ditë para zhvillimit të kësaj asambleje, shoqata “Intelektualët e Rinj, Shpresë”, e cila që në muajin maj të vitit të kaluar ka monitoruar aktivitetin e shoqërisë “Klubi i Futbollit Vllaznia sh.a”, i është drejtuar me një letër të hapur kryetarit të Këshillit Bashkiak, z.Xhemal Bushati, dhe anëtarëve të këtij këshilli.

Në një dokument prej 9 faqesh, kjo shoqatë u sjell në vëmendje atyre konstatimet e raportit të dalë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka evidentuar jo pak mangësi në mënyrën e funksionimit të klubit. Bëhet fjalë për shpërblimet e dhëna pa miratimin e asamblesë, për moskryerjen e procedurave të prokurimeve, mungesën e programeve financiare, mosmiratimin e pasqyrave financiare në asamble, për të vazhduar me faktin tjetër, që futbollistët nuk kanë kontrata pune por vetëm kontrata shërbimi, çka do të thotë se për ta nuk janë paguar sigurimet shoqërore dhe ato shëndetësore. Natyrisht që në këtë raport janë të evidentuara edhe shkeljet e tjera, kryesisht administrative, dhe për këtë arsye, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka lënë detyrat që duhen zbatuar, në mënyrë që të rregullohet mënyra e funksionimit të kësaj shoqërie aksionare.

Shoqata “Intelektualët e rinj, Shpresë”, gjithashtu, ka konstatuar se në rendin e ditës së asamblesë, që do të zhvillohet nesër, nuk janë parashikuar: prezantimi i një raporti vjetor, për të bërë të mundur informimin e situatës aktuale të klubit, analizimi i përgjegjësive dhe diskutimi mbi hapat konkretë për realizimin në mënyrë sa më të shpejtë dhe efektiv procesin e privatizimit. Në këtë mënyrë, mbledhja e nesërme pritet të prodhojë sërish debate në lidhje me të ardhmen e Vllaznisë.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar