La Liga

Inter arrin marrëveshjen me Rafinha, pret Barcelona-n

Lisandro Lopez, lojtari i zgjedhur për të përforcuar mbrojtjen, është shumë afër. Tani, Inter po punon për të përforcuar mesfushën. Në pritje të një përgjigje nga UEFA mbi operacionin Ramires, që zikaltrit duan ta marrin me formulën e huazimit nga Jiangsu Suning, vëmendja e Piero Ausilio dhe Walter Sabatini-t është zhvendosur te Barcelona, më saktësisht te Rafinha. 24-vjeçari, i ndaluar që nga prilli i kaluar, është kthyer të stërvitet me grupin në javët e fundit dhe tani është në kërkim të një skuadre që mund t’i garantojë më shumë hapësira.

Inter është e gatshme ta marrë dhe ka arritur marrëveshjen me lojtarin. Klubi milanez ka prezantuar edhe ofertën për ta marrë në huazim lojtarin me të drejtën e blerjes të fiksuar në 20 milionë euro, një shifër kjo që konsiderohet shumë e ulët nga Barcelona. Por Rafinha ka vendosur dhe po shtyn Barçën që të pranojë ofertën e zikaltërve. Për këtë arsye babai dhe menaxheri i lojtarit ka shkuar në zyrat e klubit katalanas.

Takimi ka zgjatur pak orë, gjatë të cilave babai i brazilianit i ka paraqitur përsëri ofertën e Inter drejtuesve katalanas dhe ka theksuar dëshirën e Rafinha-s për ta pranuar. Topi tani ka kaluar në këmbët e Barçës, që duhet të vendosë nëse ta pranojë apo jo ofertën e zikaltërve. Rafinha pret me padurim të largohet, ndërsa Inter kërkon t’i dhurojë Spalletti-t një alternativë të rëndësishme për mesfushën.

Më shumë nga La Liga