Seria A

Inter është skuadra më e pafat në kampionatin Italian

Për të marrë rezultate të mëdha duhet shumë aftësi, këmbëngulje dhe pak fat. Keshtu, në sport, ashtu si në jetë, ndonjëherë fati mund të jetë thelbësor. Në këtë rast, në qendër të vëmendjes janë shtyllat e goditura, që për punë centimetrash i kanë mohuar një gol (ndoshta vendimtar) një ekipi. Më poshtë është renditja e skuadrave më pa fat të Serisë A në këtë sezon.

Para të gjithëve, në këtë klasifikim të veçantë është Inter-i i Luciano Spalletti-t. Zikaltrit, në fakt, kanë goditur shtyllën plot 22 herë në këtë sezon për një mesatare prej 0.67 shtyllash, ose traversash, për ndeshje.

Askush në Itali nuk ka pasur më pak fat se milanezët, të cilët, pavarësisht kësaj statistike, janë në vendin e pestë të renditjes, akoma në garë për një vend në Champions League. Lojtarët e Inter që kanë goditur më shumë shtylla janë qendërmbrojtësi Milan Skriniar dhe sulmuesi i krahut Ivan Perisic, secili me nga 4.

Mbrapa Icardi-t me shokë është Roma e Eusebio Di Francesco-s. Verdhekuqtë, pavarësisht shtyllave të shumta të goditura, mban vendin e tretë në renditjen e Serisë A. Janë 20 shtyllat e goditura nga romanistët (0,61 për ndeshje).

Në vendin e fundit të podiumit është Napoli, që të dielën në mbremje do të luajë në fushën e Juventus atë që do të jetë një sfidë për titullin e kampionatit italian të futbollit. Shtyllat e goditura nga skuadra e Sarri-t janë 16, për një mesatare 0.48 shtylla, ose traversa, për ndeshje. Lideri i “axurrëve” është Insigne me 6 shtylla të goditura.

Në vendin e katërt, menjëherë mbrapa Napoli-t, është Juventus. Skuadra e Allegri-t ka goditur 14 shtylla deri tani dhe ka një mesatare prej 0.42 shtyllash për ndeshje. Dybala, Douglas Costa dhe Higuain kryesojnë me 3 shtylla secili mes bardhezinjve.

Në vendin e pesë është Lazio e Simone Inzaghi-t. Bardhekaltrit, që kanë sulmin më të mirë të kampionatit me 79 gola (një më shumë se Juventus), kanë goditur 13 herë shtyllën (0.39 për ndeshje), me Immobile dhe Luis Alberto që kanë goditur nga 4 secili.

Më shumë nga Seria A