• Inter fiton me një hero, është “Ivani i tmerrshëm”

    Publikuar: 8 Jan 2:36

    Katër fitore radhazi dhe tashmë me 33 pikë në vendin e pestë në Serie A! Inter është rikthyer dhe ka harmoni të plotë! Kjo u pa sot në fitoren me shumë vuajtje ndaj Udinese-s, aty ku luajti rol gjithçka: aspekti fizik, fati, përgatitja psikologjike dhe durimi i çmuar. Inter triumfoi me meritë të plotë falë dygolëshit të kroatit Ivan Perisic. Tashmë djemtë e teknikut Stefano Pioli mund të konkurrojnë denjësisht për një vend në Ligën e Kampionëve.

    Udinese e nisi ndeshjen me aksione më konkrete se ekipi zikaltër. Stadiumi “Stadio Friuli” u elektrizua që pas gjashtë minutash lojë, kur Seko Fofana provoi të befasojë portierin Samir Handanovic me një gjuajtje nga 20 metra largësi, por slloveni shmangu topin mbi traun e portës. Miqtë nisën të merrnin kontrollin e lojës, por pësuan golin e parë pikërisht kur intensifikuan aksionet sulmuese. Në të 17′ Samir shmangu për mrekulli dy lojtarë të Inter-it në mesfushë dhe gjeti në diagonale shokun e tij të skuadrës, Jakub Jankto, i cili shënoi me lehtësi. 1-0!

    Në të 23′ Jankto bëri veprimet e këmbëshpejtit Samir në aksionin e golit të tij, por nuk përsëriti veten, teksa gjuajti topin pak metra larg shtyllës së dytë. Inter e rimori shpejt veten, duke rrezikuar disa herë me argjentinasin Ever Banega. Ky i fundit punoi shumë në ofensivë, por pa pasur efikasitet. Për këtë mendoi Mauro Icardi në sekondat e fundit të pjesës së parë. Sulmuesi, i gjetur në hyrje të zonës së rreptësisë, krosoi për mesfushorin Ivan Perisic, i cili dërgoi topin në cepin e majtë të portës. Inter barazoi!

    Standings provided by Sofascore LiveScore

    Pjesa e dytë nisi me një ritëm të lartë. Perisic në të 47′ dhe Banega në të 49′ qenë shumë pranë golit të “përmbysjes”, por nuk u treguan të saktë. Loja u përqendrua gjithnjë e më shumë në mesfushë, aty ku duelet kryesisht i fituan miqtë. Joao Mario në të 83′ për pak sa nuk u bë heroi i takimit pas gjuajtjes së tij në të majtë të portës. Pas pesë minutash, gjithsesi, portugezi bëri “prekjen magjike” duke shfrytëzuar një goditje dënimi për të gjetur Perisic-in pranë shtyllës së dytë dhe ky i fundit shënoi me kokë. 1-2! Po, Inter ia doli sërish dhe tregoi se është në versionin e tij më të mirë.


    Lexo postimet e tjera

    Breaking