• Inter-Milan, derbi vendos kush shkon në Europë

    Publikuar: 19 Mar 6:19

    Nuk do të vendosë gjithçka përfundimisht, por është kthyer që tani në një sfidë thelbësore. Po flasim për derbin e Milanos, që do të zhvillohet të shtunën më 15 prill në orën 12:30. Duke i hedhur një sy kalendarit, mundësitë për një kualifikim në kompeticionet europiane të sezonit të ardhshëm do të kalojnë nga sfida e “San Siro”-s. Pas barazimit në Torino, Inter ka ngadalësuar vrapin drejt vendit të tretë (eliminatoret e Champions). Ndërsa, me fitoren e marrë kundër Genoa-s, Milan është kthyer në garën për një vend në Europa League. Dy skuadrat e Milanos, me pak fjalë, janë në garë për të kapur trenin që çon në Europë.

    Barazimi 2-2 në Torino ka vështirësuar shumë planet e ekipit të Stefano Pioli-t për të kapur vendin e tretë. Tani zikaltrti nuk mund t’i lejojnë më vetes asnjë hap fals, nëse duan të kthehen në kompeticionet europiane. Lajmi i mirë për dy milanezet është se Lazio e vendit të katërt ka barazuar në fushën e Cagliari-t dhe tani është vetëm dy pikë larg Interi-t dhe katër larg Milani-t, por ka fituar edhe Atalanta, që mban vendin e gjashtë me pikë të barabarta me Inter. Për këtë arsye, në dy ndeshjet e ardhshëm të kampionatit, pas takimeve të kombëtareve, Inter do të duhet të marrë pikë të plota: në fillim në shtëpi kundër Sampdoria-s dhe më pas në transfertë kundër Crotone-s.

    Në anën tjetër të Milanos, tri pikët e marra ndaj Genoa-s i kanë kthyer kuqezinjtë e Montella-s në garën për një vend në Europa League. Kalendari i buzëqesh “Djallit” që, pas ndeshjeve të kombëtares, do të luajë në fillim në fushën e Pescara-s dhe më pas do të presë në “San Siro” Palermo-n. Nuk është e pamundur të imagjinohet që dy ekipet milaneze të paraqiten në derbin e të shtunës së 15 prillit në të njëjtat pozicione që janë sot në renditje dhe për këtë arsye kjo sfidë direkte mund të jetë përcaktuese në rrugëtimin europian. Por nuk duhet harruar as Atalanta që në tri ndeshjet e ardhshme do të ndeshet me Genoa, Sassuolo dhe Roma në “Olimpico”.

     


    Lexo postimet e tjera