Seria A

Inter-Milan, kur derbi vendoset nga “të panjohurit”

I fundit ka qenë Cristian Zapata. Një prekje fluturimthi, me topin që ka përfunduar poshtë traversës, që ka fiksuar rezultatin në 2-2, në kohën shtesë. Pasardhësi i tij mund të jetë Nagatomo ose Musacchio. Apo një lojtar që do të aktivizohet nga stoli, siç ndodhi me Santon dhe Jose Mauri. Një protagonist i papritur, siç ka ndodhur në ndeshjet derbi mes Inter dhe Milan në vitet e fundit.

 

ZAPATA — Në 114 ndeshjet e luajtura me Milan-in në Serinë A ka shënuar katër herë. Ka qenë ai që ka vendosur derbin e prillit të kaluar, me atë zhytje pas goditjes me kokë të Baça-s. Në fund të sezonit, tifozët e Milan nuk kanë humbur rast për t’i kujtuar kushërinjve zikaltër se ai gol, i realizuar në minutën e 92-të, i ka dhuruar atyre Europa League, teksa Inter ka përfunduar jashtë kompeticioneve europiane. Zapata ka qenë një hero i papritur, por jo i vetëm.

OBI — Ndeshjet derbi të viteve të fundit janë kthyer në një skenë që i ka dhuruar 15 minuta famë atyre lojtarëve që zakonisht kalojnë pa u vënë re. E njëjta gjë ka ndodhur në nëntorin e 2014-ës për Obi-n. Milani i Inzaghi-t ka pritur Mancini-in për derbin e tij “të parë” pas kthimit në drejtim të zikaltërve. Kuqezinjtë kanë kaluar në avantazh me Menez, por pas një ore lojë nigeriani ka barazuar më një goditje të saktë nga jashtë zone. Obi, protagonisti i papritur, i cili i është bashkuar legjendave si Rivera, Meazza, Mathaus dhe Van Basten.

DE JONG — Holandezët kanë ditur gjithmonë të ndiznin derbin, ashtu si De Jong. Në majin e 2014-s dukej se takimi do të mbyllej në barazim 0-0, por në fund është shfaqur Nigel, mesfushori që nuk shënon kurrë. Balotelli i ka pasuar topin dhe ai i ka dhuruar fitoren “Djallit”.

SCHELOTTO — Balotelli është shpesh i përfshirë, por edhe këtë herë nuk ka qenë në rolin e protagonistit. Në shkurtin e 2013-ës ai ka luajtur derbin e parë si kundërshtar i Inter-it, por ajo ndeshje ka kaluar në histori si “derbi i Schelotto-s”. Ezequiel, pas një korsi të Nagatomo, ka barazuar me kokë. Këta kanë qenë heronjtë “e panjohur” të këtyre viteve, po nuk është e thënë që të kenë mbaruar, pavarësisht blerjes së dy skuadrave nga pronarët kinezë. Nëse shihni D’Ambrosio-n ose Calabria-n që i afrohen zonës së rreptësisë, bëni gati telefonët për të regjistruar videon e golit.

Më shumë nga Seria A