Seria A

Inter-Napoli, ndeshja e “Meazza”-s vlen një sezon

Napoli, pas humbjes befasuese 4-2 të pësuar në shtëpi kundër Roma-s, nuk mund të gabojë më dhe të dielën në mbrëmje do të zbresë në fushën e “San Siro”-s për t’u përballur me Inter-in. Edhe pse vendasit nuk janë në formën e tyre më të mirë, kjo nuk do të jetë një ndeshje aspak e lehtë për napolitanët.

Miqtë do të duhet të japin maksimumin për t’u larguar nga Milano me 3 pikët, veçanërisht pas paraqitjes së mirë të bërë nga zikaltrit në ndeshjen e fazës së parë të luajtur në fushën e Napoli-t, e mbyllur në barazim 0-0. Por gjërat kanë ndryshuar shumë nga ai takim, me skuadrën e Luciano Spalletti-t që ka përfunduar jashtë zonës Champions League.

Pozicionimi mes katër të parëve ka qenë objektivi kryesor para fillimit të sezonit dhe dukej se milanezët e kishin siguruar, por tani është vënë në rrezik nga rënia e papritur e rendimentit. Inter nuk po fiton më me rregullsi dhe nuk po shënon, megjithatë, mbrojtja vazhdon të mbahet. Në fakt, zikaltrit kanë pësuar vetëm 0.79 gola për ndeshje në sfidat e kampionatit që kanë luajtur në shtëpi dhe nuk ka pësuar gol në gjysmën e këtyre takimeve.

Duke parë se Napoli ka mbrojtjen më të mirë të kampionatit në ndeshjet e luajtura në transfertë ka shumë mundësi që super sfida e “Meazza”-s të mos dhurojë shumë gola. Për më tepër, në katër nga pesë ndeshjet që Inter ka luajtur me katër ekipet e para të kampionatit janë shënuar më pas se 2.5 gola për takim, një mesatare kjo që është regjistruar edhe në tetë nga nëntë ndeshjet e fundit të zikaltërve.

Ndërkohë, Napoli nuk ka pësuar asnjë humbje në 26 ndeshjet e fundit të kampionatit që ka luajtur larg shtëpisë dhe nuk kanë pësuar gol në gjashtë nga shtatë transfertat e fundit. Gjithashtu, Hysaj me shokë kanë fituar pesë ndeshjet e fundit që kanë luajtur larg shtëpisë.

Ndërsa Napoli është mundur të shtunën e kaluar, Dries Mertens ka vazhduar formën e tij të mirë dhe ka shënuar golin e tij të shtatë në shtatë ndeshjet e fundit të kampionatit. në total, ai ka realizuar 17 gola dhe pritet të jetë rreziku numër një për vendasit në “San Siro”.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Seria A