Futboll

Inter vuan ndaj Pordenone-s, kualifikohet pas 120 minutash dhe 7 penalltive

Inter-it i janë dashur penalltitë për të mundur Pordenone-n, skuadër e Serisë C, dhe për t’u kualifikuar në çerekfinalet e Kupës së Italisë. Ndeshja e luajtur në “San Siro” ka qenë e luftuar, me zikaltrit që kanë dominuar dhe kanë krijuar shumë raste, por goli nuk ka dashur të vijë. Shorti i penalltive i ka buzëqeshur zikaltërve, të cilët në çerekfinale do të presin fituesen e çiftit Milan-Verona, ndeshje që do të luhet nesër në mbrëmje.

Ndeshja
Trajneri Spalletti ka vendosur të lërë pushim pjesën më të madhe të titullarëve të skuadrës dhe diferenca ka qenë e dukshme në fushën e lojës. Milanezëve u ka munguar kthjelltësia para portës. Pordenone, gjithsesi, ka bërë një paraqitje të mirë dhe ka shkuar shumë afër golit në minutën 31-të, duke goditur shtyllën me Magnaghi-n. Reagimi i Inter ka ardhur dy minuta para fundit të pjesës së parë, me Cancelo që ka dhënë një pasim të bukur për Karamoh në zonën e rreptësisë, i cili ka goditur shumë keq. Katër minuta pas fillimit të pjesës së dytë ka bërë të njëjtën gjë edhe Brozovic, i cili ka shpërdoruar një penallti në lëvizje, duke dërguar topin jashtë. Në të 53-ën kanë qenë miqtë që kanë shkuar shumë afër golit me një diagonale të Sainz Maza, por topi, i devijuar nga Gagliardini, ka shkuar pak centimetra larg shtyllës.

Në të 68-ën ka qenë përsëri Karamoh ai që ka humbur rastin e radhës për të jaluar në avantazh zikaltrit. Francezi ka përfituar nga një pakujdesi e mbrojtjes mike, por ka gjuajtja e tij ka goditur portierin Perilli. Pas këtij momenti, Spalletti ka vendosur ta zëvendësojë Karamoh me Perisic, por edhe kroati nuk ka ditur të bëjë më mirë, duke humbur një tjetër rast të pastër për zikaltrit në minutën e 73-të. Dhjetë minuta para fundit është futur në lojë edhe Mauro Icardi, por rezultati nuk ka ndryshuar dhe koha e rregullt është mbyllur 0-0. Fati i keq i zikaltërve ka vazhduar edhe në kohën shtesë, me Mauriton që është ndalur nga shtylla, ndërsa Ranocchia është ndalur nga një mrekulli e Perilli-t. Pordenone ka rezistuar deri në fund dhe takimi ka shkuar me penallti.

Dueli nga pika e bardhë ka qenë gjithashtu i luftuar. Penalltia e Misuraca është pritur nga portieri Padelli i Inter. Brozovic ka shënuar për vendasit, ndërsa Burrai ka bërë të njëjtën gjë për miqtë. Edhe kroati tjetër i zikaltërve, Perisic, nuk ka gabuar, ashtu si Magnaghi i Pordenone-s. Ka qenë Skriniar ai që ka bërë gabimin e parë për Inter, me Perilli-n që ka pritur, por miqtë nuk kanë arritur të përfitojnë me Lulli-n që e ka dërguar topin jashtë. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Gagliardini. Stefanini ka kaluar në avantazh Pordenone-n, me Icardi-n që ka kthyer ekuilibrin me gjakftohtësi. Ciurria dhe Vecino kanë shënuar penalltitë respektive, ndërsa goditja e Parodi-t është pritur nga Padelli, që i ka dhënë mundësinë japonezit Nagatomo të kualifikonte zikaltrit dhe mbrojtësi nuk ka gabuar. Zikaltrit kanë fituar me rezultatin 5-4, por Pordenone mund të thuhet se ka qenë fituesi moral i kësaj sfide. Një skuadër që vlen 3.8 milionë euro ka vënë në vështirësi dhe ka rrezikuar të eliminojë një ekip që vlen më shumë se 300 milionë euro.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Futboll