Kampionati Shqiptar

Interpelanca Braçe-Ahmetaj zbulon pagat qesharake në futbollin tonë

Në Parlamentin e Shqipërisë është mbajtur sot interpelanca e kërkuar nga Erion Braçe, deputet i Partisë Socialiste, me ministrin e Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj. Në thelb të diskutimit ka qenë situata fiskale me FSHF-në, pagimi i detyrimeve përkatëse të këtij institucioni karshi organeve tatimore. Në fjalën e tij hyrëse, Braçe, një nga kritikët më të mëdhenj të drejtuesve të futbollit në vendin tonë, ka nënvizuar:

“Prej Kushtetutës së Shqipërisë është e qartë se nuk ka asnjë autoritet politik, duke filluar nga ministri e deri te një inspektor, që të përjashtojë nga taksat cilindo individ apo shoqëri. Nuk ka. Ka barazi fiskale për cilindo subjekt të ligjit. Ka të trajtuar njësoj, në përmbushje të detyrimeve me ligje të votuara në parlament. Unë di disa shembuj: Uli Hoenes kampion bote, presidenti i Bayern Munich, u dënua me 3 vite burg dhe pagoi një gjobë si detyrim tatimor.

Cristiano Ronaldo është dënuar me 2 vite burg dhe pagoi 18 milionë euro për shmangie fiskale. Jose Mourinho pagoi 1.78 milionë euro për shmangie fiskale, kur ishte në Spanjë. Lionel Messi pagoi 5 milionë euro për shmangie fiskale gjatë ushtrimit të aktitivetit të tij në Spanjë. Neymar, Falcao, Mascherano, Xabi Alonso, Alexis Sanchez, po ashtu, janë gjobitur dhe dënuar për këtë problem.

Janë të gjitha raste, që nga Gjermania, e ccila udhëheq Euiropësilacila udhëheq Europën, deri te Spanja, ku ligjshmëria fiskale merr vlerë themelore. FSHF është një nga institucionet më të rëndësishme në këtë vend, që përfaqëson flamurin e këtij vendi në aktivitetet ndërkombëtare. Që nga muaji shkurt kam kërkuar informacione për ligjshmërinë fiskale të këtij institucioni dhe ende nuk kam një përgjigje të qartë”.

Ministri Arben Ahmetaj dha këtë përgjigje në interpelancë: “Duke iu referuar kërkesës për interpelancë, ka detaje, që do të hedhin dritë mbi situatën e klubeve të futbollit, apo mbi aktivitetin e FSHF-së. Kemi në dorë ligjin e sportit, iniciativë e kryeministrit, për të qartësuar situatën e mbështetjes financiare dhe që do të ndihmojë në transparencën e mëtejshme në këtë fushë. Përsa i përket FSHF-së, sot ajo, për shkak të mbështetjes buxhetore dhe ligjore të qeverisë “Rama 1” dhe “Rama 2”, ka tri stadiume të reja: i Elbasanit, i Shkodrës dhe kompleksi sportiv i Tiranës.

Stadiume janë ndërtuar vetëm në kohën e Enverit, në vitet 1980. Futbolli dhe shumë sporte të tjera janë krenaria e Shqipërisë. Kemi qenë ne, majtas e djathtas, kur ekipi kombëtar bëri atë paraqitje spektakolare në Francë, që jemi krenuar me të. Ishte ky kryeministër, që i akordoi kombëtares një shpërblim 1 milion euro si vlerësim. Ka emra të njohur të fushës së futbollit, që i bëjnë nder vendit. Igli Tare, një nga teknikët më të mirë në botë. FSHF-ja ishte dikur një institucion pa zë. Sot ajo deklaron në organin tatimor “tvsh” për veprimtaritë e shitjeve, të ardhurat e shpenzimet.

Po, ka një problematikë me klubet. Po marr rastin e Skënderbeut, një klub dinjitoz: Kristi Vangjeli paguhet 100 mijë lekë të reja, ndërsa ekonomistja e klubit merr 130 mijë lekë të reja në muaj. Në vitin 2014, duket se me këto listë-pagesa, këto futbollistë e kanë pasur të vështirë të hanë, të qëndrojnë në këmbë, lëre pastaj të luajnë futboll. Futbollistët paguhen 22 mijë lekë të reja në muaj. Me kaq para, një futbollist nuk ka fuqi të japë spektakël në fushë. Këtu ka nevojë për formalizim.

Vijmë te Tirana. Bujar Lubani, trajner, merrte 36 mijë lekë të reja në muaj. Gugash Magani punonte me zero lekë, nuk merrte pagë, sepse e bënte nga pasioni për futbollin. Klodian Dervishi, trajner, edhe ky me zero para. Ze Maria merr vetëm 90 mijë lekë të reja te tirana si trajner. Pastaj kemi Ilion Likën, futbollist i madh, që paguhet 90 mijë lekë. Astrit Nallbani, trajner, ka pagë bruto 1 lek.

Marrim listë-pagesën e Vllaznisë. Armando Cungu merrte 544 mijë lekë. Për hir të së vërtetës, Vllaznia është më afër formalizimit. Pastaj Partizani: kemi Alban Hoxhën, që merr 100 mijë lekë të reja. Ka edhe futbollistë që kanë një reflektim më të afërt me realitetin. Formalizimi në futboll është emergjencë. FSHF-ja, po ta krahasosh me vitin 2014, kur futbollistët merrnin pagë 22 mijë lekë, në vitet e fundit ka filluar të reflektojnë paga afër reales. Pra, sigurisht që ka një avancim në drejtimin e duhur. Besoj që, me ligjin e sportit, atë të riun që po kalojmë për vendimmarrje, situata do të bëhet akoma më pozitive”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar