Futboll

Ish-gjiganti i Gjermanisë: “El Clasico”, një spektakël i neveritshëm

Barcelona dhe Real Madrid do të ndeshen në kampionat 28 tetorin e ardhshëm. Në “Camp Nou” do të luhet “El Clasico”, një nga sfidat më tërheqëse të botës së sportit.

Janë të pakta ndeshjet që tërheqin një vëmendje të madhe mediatike si Barcelona-Real Madrid, me miliona njerëz që nuk duan të humbasin asnjë minutë nga kjo super ndeshje.

Nuk ka të njëjtin mendim Robert Huth, ish-futbollist i Leicester dhe kombëtares së Gjermanisë, aktualisht pa ekip, që në një intervistë të dhënë për “Bild” ka thënë këto fjalë në lidhje me përballjen e dy gjigantëve të futbollit spanjoll:

“Nuk do ta shikoj. Bëhet fjalë për një ndeshje të turpshme dhe një spektakël të neveritshëm. Njëzet burra në fushë që shtyjnë arbitrin, që hidhen në tokë duke mbajtur fytyrën. Ne stërvitemi prej vitesh në mënyrë që të forcojmë fizikun tonë dhe këta fluturojnë si të ishin dallëndyshe”.

“Kalojmë 15-16 vite duke mbajtur dietë për t’u forcuar sa më shumë. Më thoni si mund të biesh në atë mënyrë sapo të prekin? Në asnjë disiplinë tjetër sportive nuk do të ishte e pranueshme një gjë e tillë”, ka përfunduar ai.

Më shumë nga Futboll