Boks

Ish-kampioni i botës rikthehet në ring më 21 prill, në Liverpool

Boksieri britanik Amir Khan, ish-kampion i botës në peshën “light dhe super welterweight”, ka deklaruar sot përmes një konference për shtyp se do të rikthehet në ring më 21 prill të këtij viti. Madje 31-vjeçari ka konfirmuar se duelin e radhës, pas gati dy vitesh pushim, do ta zhvillojë në “The Echo Arena” të Liverpool, por ende nuk dihet se cili do të jetë rivali i tij. Khan ka nënshkruar një kontratë me promotorin e njohur të boksit Eddie Hearn, që duket se i ka premtuar një përballje me Kell Brook, një tjetër ish-kampion bote. Një duel që pritet të sjellë mjaft fitime për të gjitha palët e përfshira në të edhe pse kjo sfidë ende nuk është zyrtare.

Amir Khan ne duelin ndaj Canelo Alvarez

Jam shumë i lumtur për marrëveshjen e re dhe akoma më i kënaqur rreth faktit që do të rikthehem në ring. Kam biseduar së fundi me Eddie dhe jemi të dy në të njëjtën anë, se çfarë duhet të bëjmë më tej. Unë jam i vendosur për të fituar sërish titullin kampion dhe mendoj se jam me skuadrën e duhur për ta bërë këtë gjë. Do të dueloj në vendlindjen time, pasi kam nevojë për mbështetjen e fansave të mi. Kam një kohë të gjatë pa dueluar dhe mezi pres të rikthehem të boksoj, duke nisur që nga prilli, pasi nuk dua të humbas më kohë”, tha Amir Khan për mediat. Sfida e tij e fundit është ajo e humbur ndaj Saul Canelo Alvarez, në maj të 2016-ës.

Më shumë nga Boks