Premier League

Ish-portieri i Anglisë: Pickford të luajë në një nga klubet e mëdha të Premier League

Paraqitjet e Jordan Pickford me Anglinë në Botërorin e Rusisë ka të ngjarë ta transferojnë atë në një nga skuadrat kryesore të Premier League, – pretendon ish-portieri i “Tre Luanëve”, David Seaman. 24-vjeçari u lidh me Evertonin në verën e vitit 2017, për një kontratë prej 25 milionë paundë, duke e bërë atë portierin më të shtrenjtë britanik të të gjitha kohërave.

Një sezon debutues premtuese në “Goodison Park” bëri që të fitonte rolin e titullarit për kombëtaren e tij në Kupën e Botës 2018. Tashmë janë të njohura meritat e tij në shkuarjen e skuadrës së drejtuar prej Gareth Southgate deri në gjysmëfinale të turneut madhor të kësaj vere. Profili i Pickford është rritur përsëri pas këtyre shfaqjeve, me gjigandët gjermanë të Bayern Munich, që raportohet se janë të etur për ta rrëmbyer portierin anglez.

Dhe Seaman beson se një hap i madh përpara mund të ndërmerret shpejt nga Pickford. Ai i tha “Daily Star”: “Jordan Pickford ndoshta do të përfundojë në një nga gjashtë klubet më të mëdha në Premier League, nëse vazhdon të përparojë. Ai do ta bëjë të vështirë për klubet e mëdha, që ta injorojnë. Pickford ka nevojë për këtë sfidë, sepse, madje, ai nuk ka luajtur ende në Ligën e Kampionëve. Ai shkoi direkt në Kupën e Botës dhe tregoi se çfarë mund të bëjë.

Në të vërtetë, pati një turne të madh. Ai është një portier i mirë dhe duhet të vazhdojë në këtë rrugë, si pjesë e një klubi të madh. Pickford është ndër lojtarët më të mirë në Premier League tani, por duhet ta ruajë këtë paraqitje për një kohë të gjatë, që të klasifikohet aq i mirë sa David De Gea, Thibaut Courtois, Petr Cech dhe Hugo Lloris”.

Më shumë nga Premier League