Ligue 1

“Neymar dhe Mbappe janë të dëmshëm, Pep s’do ta bënte kurrë këtë”

Ruud Gullit, nuk është kurrë banal. Ish-ylli i Milan dhe ish-fitues i Topit të Artë në 1987-ën, ka kritikuar hapur PSG-në. Më saktësisht, zgjedhjet e bëra nga trajneri Tuchel. Sipas tij, Mbappe dhe Neymar nuk mund të luajnë njëkohësisht. Madje, janë të dëmshëm. Një paradoks? Jo, një bindje e përforcuar nga humbja 3-2 e pësuar nga francezët në “Anfield”.

Problemi, sipas Gullit, qëndron te menaxhimi taktik i Tuchel. Prania e të dyve në fushën e lojës, edhe pse e bën më të lehtë gjetjen e golit, e vë në vështirësi ekipin kur topi është në zotërim të kundërshtarit. “Shpresoj që Tuchel t’i thotë Neymar-it se duhet të punojë më shumë me skuadrën, për momentin nuk e bën. Mbappe? Ka një ndikim të madh në lojë, por ai dhe Neymar rrezikojnë të krijojnë shumë probleme për ekipin në fazën mbrojtëse”.

Më shumë se për Neymar dhe Mbappe, kritikat e Gullit i janë drejtuar trajnerit të PSG-së: “Kjo nuk do t’i ndodhte kurrë një trajneri si Guardiola. Mjafton të mendosh se Pep, pas një fitoreje 3-0 ka anuluar ditën e pushimit të lojtarëve, sepse nuk ka qenë i kënaqur me lojën e tyre. Kështu fitohet: Neymar di ta bëjë, është në gjendje ta bëjë, por varet nga trajneri dhe nga forca e Tuchel për të urdhëruar”.

Më shumë nga Ligue 1