Nations League

Ish-trajneri i Gjermanisë: Low duhet të bëjë këtë me kombëtaren, ose të hapë krahun

Ish-trajneri i Gjermanisë, Jurgen Klinsmann, këmbëngul se Joachim Low duhet të arrijë deri në gjysmëfinale të “Euro 2020”, ose ta lërë punën (të hapë krahun). Klinsmann e mori drejtimin e Gjermanisë pas “Euro 2004” dhe arriti deri në katër më të mirët e Kupës së Botës 2006, që u luajt në shtëpi, por pa ndihmësin e tij, të promovuar në krye të kombëtares pas atij turneu.

Joachim Low e ka drejtuar “Die Mannschaft” prej 12 vitesh, duke fituar Kupën e Botës në vitin 2014, por vjen nga një turne zhgënjyes në Rusi, këtë verë. Për pasojë, e ardhmja e tij si trajner i Gjermanisë është vënë nën vëzhgim.

Federata vendosi të rikonfirmojë besimin te Low, pavarësisht performancës më të keqe të mundshme në Botërorin e Rusisë, çka nuk ndodhte prej vitit 1938. Jurgen Klinsmann beson se tani presioni është mbi trajnerin Low.

“Minimalisht, Low duhet të arrijë në gjysmëfinalet e Kampionatit Europiantë vitit 2020, – tha Klinsmann për “Sport Bild”. – Unë mendoj se uria për sukses është ende aty, bashkë me të. Lojtarët e Gjermanisë kanë CV-në e duhur për t’u shpallur kampionë europianë”.

Pas Kupës së Botës së kësaj vere pati pretendime për klane në kampin e Gjermanisë, me lojtarët më të vjetër, që ishin pjesë e triumfit në “Brazil 2014”, të cilët nuk i mirëpritën më të rinjtë, që kishin fituar Kupën e Konfederatave 2017.

Klinsmann, i cili luajti 108 herë për vendin e tij, nuk beson se potenciali i brezit të artë të Gjermanisë ka përfunduar, duke këmbëngulur se lojtarët duhet të rriten dhe të marrin përgjegjësi: “Gjenerata që fitoi Kupën e Botës në Brazil, në vitin 2014, dhe ekipi i ri që, fitoi Kupën e Konfederatës, në vitin 2017, kanë për detyrë të reagojnë. Potenciali është atje, por ata duhet të tregojnë sa vlejnë”.

54-vjeçari, gjithashtu, kritikoi Bundesligën, se ka dështuar të sjellë yje të mëdhenj në Gjermani, duke e lënë atë si kampionat prapa Ligue 1 dhe Seria A, të cilat janë rivlerësuar me nënshkrimet e Neymar dhe Cristiano Ronaldos: “Herët a vonë, ligat e tjera kanë bërë goditjet e tyre. Bundesliga ka nevojë për superstarë, që të sjellin cilësi jo vetëm atletike, por edhe për të tërhequr investitorë të huaj”.

Më shumë nga Nations League