RUSI 2018

Islanda dhe shifrat e “çuditshme” të mrekullisë botërore

Kombëtarja e Islandës nuk është më një surprizë në botën e futbollit. Pasi i ka vjedhur zemrën miliona tifozëve në gjithë kontinentin për arritjet në Euro 2016-të (ka arritur fazën çerekfinale), vikingët islandezë kanë bërë diçka akoma më të paimagjinueshme, duke realizuar një objektiv akoma më të madh: kualifikimi në Kupën e Botës. Pasi kanë marrë komplimentet e merituara nga gjithë bota, është e pamundur të mos përmenden shifrat interesante të këtij fenomeni të paprecedentë. Po, sepse Islanda është kombëtarja e parë në histori që do të marrë pjesë në Kupën e Botës me një popullsi më të vogël se 1 milion banorë. Në këtë rast ky numër është akoma më i ulët, duke parë se atje jetojnë vetëm 330.000 njerëz.

Më pas duhen marrë në konsideratë pengesat natyrore për suksesin e një programi sportiv kaq ambicioz. Në Islandë janë, falë rezultateve të një programi të nisur në 2002-in nga Federata, 6 fusha futbollit të mbyllura (indoor). Duke parë se temperaturat mesatare në muajin korrik janë 10 gradë dhe 0 deri në 25 gradë në dimër, për shumë muaj gjatë vitit ka 6 fusha futbolli. Nga ana tjetër, vullkanet janë 200. Pas regjistrimi të popullsisë të 2013-ës është përllogaritur se meshkujt nga 20 deri në 34 vjeç kanë qenë rreth 35 mijë. Bëhet fjalë për banorë, jo futbollistë. Nëse kësaj i shtojmë edhe faktin se kampionati vendas, që zhvillohet nga 1912-a, mban vendin e 35-të në renditjen e kampionateve më të fortë në Europë, numri i talenteve të mundshëm që mund të grumbullohen me kombëtaren është reduktuar ndjeshëm.

Atëherë, si i bëhet? Pavarësisht se investimet e Federatës kanë shkuar edhe për aspektin teknik, me formimin e trajnerëve të rinj, fati këtij brezi të artë islandez qëndron te lidhje me lëvizjen e veritu të Europës dhe atë britanike. Pjesa më e madhe e futbollistëve të Islandës i është afruar futbollit pasi kanë emigruar në moshë shumë të re në Danaimarkë, Suedi, Norvegji ose Britanin e Madhe. Në këtë mënyrë futbollistët e ishullit kanë mundur të rriten në vende që kanë qenë të aftë t’i pranojnë në aspektin kulturor dhe t’i japin atyre një edukim për futbollin dhe strukturat që në atdhe nuk do ta kishin gjetur.

Natyrisht, e gjithë kjo nuk mjafton për të shpjeguar një ecuri kaq të jashtëzakonshme. Veçanërisht nëse mendohet se vende si Shqipëria, Malta, Luksmburgu, Qipro apo Maqedonia kanë një popullsi më të madhe dhe kushte ambientale më të përshtatshme për futbollin, por vazhdojnë të jenë ekipe modeste dhe asnjë më shumë. Ndërsa, këta vikingë kanë lënë pas vetes ekipe si Kroacia dhe Ukraina, duke fituar Grupin I me 7 fitore në 10 ndeshje. Kështu, mrekullia islandeze nuk mund të jetë thjesht fryt i numrave. Duhet të ketë lidhje me shpirtin e një populli shumë të bashkuar dhe të barabartë në aspektin social. Ai shpirti viking që futbollistët e kombëtares e ringjallin bashkë me atdhetarët e tyre në çdo ndeshje që luajnë.

Më pas, si në çdo përrallë të bukur, jo gjithçka mund të shpjegohet me logjikë. I duhet lënë pak vend edhe imagjinatës. Dhe Islanda është teatri perfekt për këtë. Mendoni se në 2013-ën projekti i ndërtimit të një super autostrade është bllokuar sepse do të kishte ndikim te habitati natyral i elfëve. Po, e kuptuat mirë. Do të jetë me të vërtetë një kënaqësi të shikosh emigrimin në masë të islandezëve në Rusi për të mbajtur gjallë ëndrrën e Kupës së Botës. Pikërisht siç ndodhi në Europianin e fundit, kur 8 për qind e popullsisë është zhvendosur në Francë për të ndjekur ekipin. Një çmenduri e vërtetë.

Më shumë nga RUSI 2018