• Itali-Shqipëri, ndeshja gjykohet nga një treshe sllovene

    Publikuar: 20 Mar 2:41

    FIFA, si organizatore e kompeticionit, ka përcaktuar sot edhe gjyqtarët e ndeshjeve të radhës eleminatore për Botërorin “Rusi 2018”. Kështu, ndeshjen e skuadrës sonë përfaqësuese të futbollit me Italinë, e cila do të luhet në Palermo, më 24 mars, në orën 20:45, është caktuar ta gjykojë një treshe sllovene, me kryesor Slavko Vincic. Asistentët e tij do të jenë Tomaz Klancnik dhe Andraz Kovacic. De Biazi dhe të tijtë vijnë në këtë kualifikuese pas një gjykimi katastrofal të Deniz Aytekin në ndeshjen Shqipëri-Izrael 0-3.

    Turko-gjermani, që para pak ditësh e bëri baltë me gjykimin e tij edhe në ndeshjen e Champions-it, Barcelona-PSG 6-1, dha dy kartonë të kuq dhe dy penallti në dëm të kuqezinjve. Etrit Berisha dhe Berat Djimsiti do të mungojnë ndaj Italisë për shkak të “drejtësisë” së Aytekin. Slavko Vincic, që do të drejtojë sfidën e Palermos, ka marrë stemën e FIFA-s prej vitit 2010, çka do të thotë se ka eksperiencën e duhur për të qenë në lartësinë e duhur.


    Lexo postimet e tjera