Champions League

Italia mund të “pushtojë” Europën me 8 skuadra, por duhen plotësuar dy kushte

Me reformën e kupave europiane dhe me Champions-in e ri, që lejon kualifikimin direkt në fazën me grupe të katër ekipeve të para në katër kampionatet kryesore të Europës, Italia mund të fitojë një klub në edicionin e ardhshëm. Në fakt, italianët do të kenë shtatë ekipe në kompeticionet e ardhshme europiane, 4 në Champions dhe 3 në Europa League. Por këto ekipe mund të shkojnë në tetë, me 5 ekipe në fazën me grupe të Champions League. Këto janë skenarët e mundshëm.

CHAMPIONS 4 + EUROPA 3 — Championsi i ri parashikon katër vende fikse në fazën me grupe për 4 skuadrat e 4 kampionateve që kanë pozicionin më të mirë në renditjen e UEFA-s. Me pak fjalë, gjysma e ekipeve që do të marrin pjesë në edicionin e ardhshëm, 16 nga 32, do të jenë nga katër kampionatet kryesore të Europës: Spanja, Anglia, Italia dhe Gjermania. Në këtë mënyrë do të rritet spektakli dhe vlera e kompeticionit. Ndërkohë, nëse renditja aktuale e Serie A do të ishte ajo përfundimtare, Italia do të kishte Juve, Napoli, Lazio dhe Roma n grupet e Champions-it; Inter (vendi i 5-të) dhe Milan (vendi i 6-të, ose si fitues i Kupës së Italisë) në fazën me grupe të Europa League; plus Fiorentina (vendi i 7-të) në turin e dytë paraeliminator të Europa League.

CHAMPIONS 5 + EUROPA 2 — Po nëse Lazio do ta fitonte Europa League? E vështirë, por jo e pamundur: në ndeshjen e kthimit ndaj Salzburg do të ketë një avantazh prej 2 golash pas fitores 4-2 të marrë në takimin e parë të çerekfinaleve. Gjithashtu, ekipi i Inzaghi-t nuk është inferior ndaj skuadrave të tjera favorite (Arsenal, Leipzig, Marseille), me përjashtim të Atletico Madrid, ndoshta, një ekip i mësuar me kompeticionet europiane. Fituesja e Europa League kualifikohet direkt në fazën me grupe të Champions-it të ardhshëm: për momentin nuk do të ndryshonte asgjë, sepse Lazio do të kualifikohej nëpërmjet kampionatit, nëse ky do të mbyllej sot. Por nëse Lazio do të zbriste poshtë vendit të katërt në Serie A, Italia do të kishte pesë skuadra në Champions, të gjitha në fazën me grupe: 4 të parat e kampionatit (Juve, Napoli, Roma dhe Inter) plus bardhekaltrit. Por nuk do të shtohej numri i ekipeve në total: në Europa League do të mbeteshin vetëm 2 ekipe, Milan (në fazën me grupe) dhe Fiorentina (në fazën paraeliminatore, si vendi i 7-të).

CHAMPIONS 5 + EUROPA 3 — Kjo është një hipotezë e komplikuar, sepse duhet të përmbushen dy kushte që të kthehet në realitet. I pari është që Lazio të fitojë Europa League dhe i dyti që të pozicionohet poshtë vendit të 7-të në kampionat. Në këtë rast, Italia do të kishte 5 ekipe në Champions League (Juve, Napoli, Roma, Inter, Lazio) dhe 3 në Europa League (Milan dhe Fiorentina në grupe, Sampdoria në fazën paraeliminatore). Një hipotezë shumë e komplikuar, por më e mundur se përmbysja e paimagjinueshme e realizuar nga Roma të martën në mbrëmje.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Champions League