Kampionati Shqiptar

Italiani i larguar nga Partizani: Futbolli shqiptar ka mangësi taktike

Erdhi me bujë në merkaton e verës, luajti nën drejtimin e Mark Iulianos, pastaj “u tret si kripa në ujë” me rikthimin e Starovës në stolin e Partizanit. Xhovani La Kamera, futbollisti italian, është i larguari i radhës nga “demat e kuq”, si pjesë e spastrimit që ka nisur në këtë klub. Lojtari i lartpërmendur ka konfirmuar “divorcin” në një prononcim për “Tuttomercatoweb”.
Pse vendosët të largoheshit nga Shqipëria?
Ideja për të ndërprerë kontratën lindi në dy javët e fundit, por u zgjidh vetëm këto ditë. Kam kaluar mirë në Tiranë, si në aspektin futbollistik, ashtu edhe jashtë tij. Jam i lumtur për këtë eksperiencë, por kisha shumë dëshirë të kthehesha në Itali.
Si është futbolli shqiptar?
I një niveli të mirë. Mendohet se është nivel i ulët, por nuk është kështu. Si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë teknik. Ndryshe nga futbolli ynë, punojnë më pak në fazën taktike, më pak në lojën një kundër një. Në këtë drejtim futbolli shqiptar ka pak mangësi. Por, ka shumë teknikë dhe përgatitje fizike.
Prandaj do të ktheheni në Itali, ka ndonjë sirenë?
Për momentin stërvitem me një skuadër afër Milanos. Janë disa ish-kolegë të Pavias, që kanë një qendër sportive. Do të punoj aty, që të mbaj dhe përmirësoj gjendjen fizike.
Keni objektiv Serinë B apo atë C?
Fatkeqësisht, kjo nuk varet nga unë. Po kaloj një rini të dytë, jam mirë fizikisht dhe psikologjikisht. Nuk kam kam frikë të rifutem në lojë. Vetëm shpresoj të gjej një projekt serioz.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar