Futboll

Iuliano debuton me humbje te Partizani, Laçi dhuron surprizën e parë të sezonit

Është mbyllur me surprizën më të madhe kjo javë e parë e Kampionatit Shqiptar të Kategorisë Superiore, me Partizanin që është mundur në “Selman Stërmasi” me rezultatin 0-2, nga Laçi. Dy gabime fatale të të kuqve, në kundrasulmin e minutës së 59’ me Xhikën që ka boshatisur portën, për të bërë gjithçka më të lehtë për Kallakun dhe më pas në të 69’, kur mbrojtja ka ngrirë e tëra për t’i lënë rrugë të lirë Eskuerdas që të dyfishojë rezultatin, kanë vendosur fatin e ndeshjes. Në të vërtetë të kuqtë kanë dominuar për pjesën më të madhe të fraksionit të dytë të lojës, duke ushtruar presion mbi kundërshtarin, por nuk kanë mundur dot të gjejnë rrugën e rrjetës, të ndalur edhe nga traversas, sikurse ndodhi në minutën e 85’ me Sukajn. Asgjë nuk ka ndryshuar në rezultatin final, edhe pas daljes me karton të kuq të Ademir, në minutën e 90’, me kurbinasit që e kanë mbyllur lojën në inferioritet numerik. Një disfatë që ka shënuar edhe debutimin e trajnerit Mark Iuliano në drejtimin e të kuqve.

Pjesa e parë

Ndeshja ka nisur me lojë të ekuilibruar në të dy kampet, me skuadrat që janë limituar në tentativa të kujdesshme nga jashtë zone, por pa rrezikshmëri për portierët respektivë. Në të vërtetë, rasti i parë për tu regjistruar është shënuar në minutën e 30’, kur Sukaj, ka ekzekutuar një goditje dënimit, me një gjuajtje shumë të fuqishme nga rreth 30 metra distancë prej portës së kurbinasve, që është devijuar në limite nga portieri Selmani, i cili shpëton portën e Laçit. Asgjë tjetër më shumë në këtë pjesë të parë, që përcolli ndjesinë se e gjithë ndeshja mund të përfundonte me portat e paprekura.

Pjesa e dytë

Fraksioni i dytë i lojës ka nisur me të kuqtë më kërkues, duke ushtruar më tepër presion mbi Laçin që është zhvendosur thuajse i gjithi në gjysmëfushën e tij. Një sërë tentativash, ndonëse jo shumë të qarta dhe fatale, janë ndërmarrë nga futbollistët e Partizanit, por pa mundur dot të rrezikojnë seriozisht portën e kurbinasve. Ishte pikërisht ofensiva totale e të kuqve që u kthye në pikën më të dobët të Partizanit, i kapur në kundrasulm në minutën e 59’. Ishte Kallaku, i cili duke shfrytëzuar maksimalisht një asist nga mesfusha, por gjithashtu duke përfituar edhe nga dalja e gabuar e Xhikës, ka dërguar topin në rrjetën e portës së boshatisur të Partizanit, për të kaluar Laçin në avantazh, 0-1.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i të kuqve të cilët janë zhvendosur sërish në gjysmëfushën e laçianëve, por sa për pasaktësi të tyre, po aq edhe për saktësi të mbrojtjes dhe portierit të Laçit, e kanë patur të pamundur të gjejnë golin e barazimit. Kur kishin kaluar vetëm 10 minuta nga goli i avantazhit, kurbinasit kanë bërë të paimagjinueshmen, duke dyfishuar shifrat në të 69’ me Eskuerda. Ky i fundit ka përfituar nga paaftësia e mbrojtjes së kuqe, për ta markuar apo ndaluar dhe i vetëm përballë portierit Xhika nuk e kishte të vështirë të dërgojë topin në rrjetë, 0-2. Edhe në këtë pjesë të dytë, është sërish Suka ai që i afrohet më shumë golit nga të kuqtë, por edhe tentativa e tij në të 85’ është ndalur nga traversa e portës së Laçit. Asgjë nuk ka ndryshuar, edhe pas daljes së Ademir me karton të kuq në minutën e 90’.

Partizani-Laçi 0-2

Shënues: Kallaku 59’, Eskuerda 69’

Partizani: Xhika, Fejzullahi, Ibrahimi, Atanda, Kotobelli, La Kamera, Vila, Adorjan, Progni, Trashi, Sukaj.
Trajner: Mark Iuliano

Laçi: Selmani, Ademir, Fangaj, Gjoni, Sefgjini, Bardhi, Lushkja, Nika, Jonuzi, Eskuerda, Uzuni.
Trajner: Stavri Nica

Gjyqtar: Laver Alla

Karton të kuq: Ademir

Më shumë nga Futboll