Atletikë

Izmir Smajlaj, nesër në Austri për një Miting ndërkombëtar

Kampioni i Europës në atletikë Izmir Smajlaj sot do të marrë pjesë në një miting ndërkombëtar që do të zhvillohet në Austri. Ai ka udhëtuar me objektiva serioze për të qenë fituesi i këtij mitingu dhe të marrë medaljen e artë të vënë nga organizatorët. Padyshim që forma e tij sportive është në nivelet e duhura dhe tashmë atij i mbetet që të tregojë edhe njëherë vlerat e tij ashtu siç bëri në Kampionatin Europian të zhvilluar në Beograd ku zuri vendin e parë dhe u shpall Kampion Europe. Kuptohet që nuk do të jetë e lehtë sepse në Mitingun e Austrisë do të marrin pjesë atletët më të mirë të kontinentit. “Saktësisht ende nuk e di se kush do jetë pjesëmarrës në këtë Miting por me shumë të ngjarë do ketë sportistë nga vende të ndryshme të Europës të cilët do synojnë vendin e parë por unë nuk do të heqë dorë prej fitimit të medaljes së artë edhe këtë herë“, ka thënë atleti shkodran për “telesport.al”.

Izmir Smajlaj gjate Europianit

Por për Smajlajn, gara e Vjenës nuk do të jetë e vetmja për këtë periudhë madje qershori ka për të qenë një muaj shumë i ngjeshur. Menjëherë pas kthimit nga Austria, 24 vjeçari bashkë me trajnerin Vildan Tufi do të udhëtojë drejt Bosnjës ku me datë 7 qershor do të marrë pjesë në një tjetër miting ndërkombëtar që zhvillohet në këtë vend. Tre ditë më vonë, në Elbasan do të zhvillohet kampionati kombëtar i atletikës ku Smajlaj padyshim që do të kërkojë të fitojë jo vetëm titullin kampion si individ por të ndihmojë edhe Vllazninë të shpallet kampione si ekip. Dhe për ta mbyllur muajin qershor, më datë 24 në Maltë do të zhvillohet Liga e Europës për shtetet e vogla dhe për këtë arsye, do të jetë edhe aty pjesmarrës. Objektivi i dyshes Smajlaj-Tufi në katër garat e këtij muaji padyshim që do të jetë zënia e vendeve të para, fitimi i medaljeve të arta dhe thyerja e rekordit të kërcimit së gjati.

Më shumë nga Atletikë