Atletikë

Izmir Smajlaj përgatitet për garën e parë të vitit

Izmir Smajlaj përgatitet për garën e parë të vitit

Izmir Smajlaj, Kampioni i Europës në fuqi, do të nis vitin 2018 me një garë në një miting ndërkombëtar që do të zhvillohet javën e ardhshme në Stamboll. Siç raporton “shkodrasport”, për Smajlajn kjo do të jetë gara e parë për këtë vit. 24 vjeçari do të kërkojë ta nisë mbarë, për të përsëritur padyshim sukseset e vitit të kaluar.

Pas stërvitjeve të kryera për disa kohë në San Marino, ditët e fundit ka vijuar me përgatitjet në Tiranë ndërkohë që drejt Turqisë pritet të niset me datë 15 janar. Padyshim që ky Miting në të cilin do të marrin pjesë edhe atletë të tjerë të njohur të Ballkanit por edhe të Europës, do të jetë njëfarë testi për të gjithë sportistët në prag të Kampionatit Europian të sallave të mbyllura, i cili edhe ai do të zhvillohet në Stamboll të Turqisë më 17 shkurt.

Smajlaj sigurisht që do të mundohet të tregojë vlerat e veta edhe në Mitingun e javës tjetër por padyshim që vëmendja më e madhe është e përqendruar tek Europiani. Jo më kot, ai nuk do të kthehet në Shqipëri pas përfundimit të Mitingut Ndërkombëtar po do të vijojë me procesin stërvitor në Turqi.

Arsyeja është të rrisë edhe më shumë parametrat e tij fizikë në prag të këtij evenimenti të rëndësishëm. Ky sportist sigurisht që është krenaria e sportit shkodran dhe atij shqiptar dhe patjetër që do të vijojë të na dhurojë të tjera rezultate të larta në arenën ndërkombëtare sepse të gjitha të dhënat flasin në favorin e tij.

Mosha e re, të dhënat fizike të jashtëzakonshme dhe po t’u shtosh atyre edhe plotësimin e kushteve për stërvitje, natyrisht që titulli i vjetshëm nuk do të mbesë i vetmi sepse shumë shpejt do të shoqërohet nga të tjerë prej Izmir Smajlajt.

 

Më shumë nga Atletikë